Futboll

Transferime, Diaby gati për testet mjekësore tek Al-Ittihadi

Moussa Diaby - Aston Villa

Foto: Associated Press

Sulmuesi Moussa Diaby në ditët e ardhshme do të udhëtojë për në Arabinë Saudite për t’i kryer testet mjekësore te skuadra e Al-Ittihadit. 

Të hënën BBC ka raportuar se Diaby do të bashkohet me skuadrën arabe dhe do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare.

Al-Ittihadi dhe Aston Villa kanë arritur marrëveshje për ta transferuar 24-vjeçarin për 60 milionë euro. Diaby me Aston Villan ka kontratë deri në vitin 2028. Francezi është pjesë e skuadrës angleze nga viti 2023. 

Ai ishte transferuar nga Bayer Leverkuseni për 55 milionë euro. 

Në edicionin 2023/2024, Diaby në 54 ndeshje të zhvilluara ka shënuar dhjetë gola dhe ka kontribuar me nëntë asistime. 

Me përfaqësuesen e Francës ka 11 ndeshje të luajtura. 


Felix në radarin e Aston Villas

Sulmuesi Joao Felix mund të përfundojë te skuadra angleze Aston Villa. Të hënën mediumet angleze kanë raportuar se trajneri i Aston Villas, Unay Emery, është duke e kërkuar transferimin e Felixit gjatë këtij afati kalimtar.

Portugezit i ka përfunduar huazimi te skuadra e Barcelonës. Mësohet se Felix po dëshiron që Barcelona ta blejë kartonin e tij nga Atletico Madridi. Por drejtuesit e Barcelonës janë duke menduar që ta huazojnë edhe për edicionin 2024/2025. 

Felix nuk e mendon kthimin tek Atletico Madridi, pas problemeve që i pati me trajnerin Diego Simeone. 
Në edicionin 2023/2024, portugezi me fanellën e katalunasve shënoi 10 gola dhe bëri gjashtë asistime.