Mbrojtësi Pau Cubarsi do të nënshkruajë një kontratë të re afatgjate me Barcelonën në javët e ardhshme. Cubarsit i është caktuar edhe një klauzolë lirimi në vlerë prej një miliard eurosh, kështu ka njoftuar të martën, eksperti i transferimeve Fabrizio Romano.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, tashmë ka negociuar kushtet me agjentët e Cubarsit dhe marrëveshja është shumë afër për tu finalizuar. Mësohet se paga do t’i rritet, duke e bërë Cubarsin një nga lojtarët kyç për projektin aktual dhe të ardhshëm të Barcelonës.
Këtë edicion 17-vjeçari është pjesë e rregullt e ekipit të trajnerit Xavi Hernandez dhe deri më tani, ka regjistruar 30 paraqitje dhe ka bërë një asistim. Po ashtu me përfaqësuesen e Spanjës ka dy ndeshje të zhvilluara.
Juventusi interesohet për Greenwoodin
Skuadra e Juventusit është futur në garë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të krahut, Mason Greenwood.
Mediat italiane të martën shkruajnë se Juventusi është duke e rivalizuar Barcelonën për anglezin, i cili është në pronësi të Manchester Unitedit.
Greenwood para fillimit të këtij edicioni është huazuar te Getafe dhe është duke kaluar formë të mirë në La Liga.
Në 31 paraqitje në të gjitha garat për Getafen, Greenwood ka shënuar dhjetë gola dhe ka bërë gjashtë asistime. 22-vjeçari me Manchester Unitedin ka kontratë deri në verën e vitit 2025.
Vitor Roque do të huazohet në verë
Skuadra e Barcelonës është duke menduar që ta huazojë brazilianin Vitor Roque në ndonjë skuadër tjetër spanjolle. Minutazha jo e madhe këtë edicion e Roques, ka bërë që drejtuesit e Barçës ta mendojnë huazimin e tij në verë, shkruajnë të martën mediumet spanjolle.
Skuadra katalunase beson se një huazimnë një klub tjetër spanjoll është mënyra më e mirë që Roque të përshtatet me jetën në vend dhe të paraqitet më mirë në të ardhmen.
Roque te Barcelona erdhi në janar nga skuadra braziliane Athletico Paranaense për 40 milionë euro.
19-vjeçari këtë edicion ka vetëm 310 minuta të zhvilluara me gjigantin spanjoll. Ndërsa ka kontribuar me dy gola.
Tah në radarin e Bayernit
Skuadra e Bayern Muenchenit po kërkon një qendërmbrojtës për stinorin e ardhshëm dhe ka shënjestruar gjermanin e Bayern Leverkusenit, Jonathan Tah.
“Sky Sports” raporton të martën se tashmë kanë nisur bisedimet mes Bayernit dhe përfaqësuesve të Tahut. 28-vjeçari ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2025.
Mësohet se diskutimet janë zhvilluar mes klubit dhe përfaqësuesve të mbrojtësit, por ende nuk ka asnjë marrëveshje. Transferim pritet të kushtojë rreth 17 milionë euro.
Tah është pjesë e Leverkusenit prej vitit 2015, kurse karrierë ka bërë edhe te Hamburgu e Fortuna Duesseldorfi. Tah ka zhvilluar 41 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar me gjashtë gola të shënuar e një asistim.

West Ham United në bisedime me Lopeteguin
Skuadra e West Ham United po synon që spanjollin Julen Lopetegui ta ketë trajner për edicionin e ardhshëm të Premier Leagues, raporton “BBC” të martën.
Lopetegui shihet si zëvendësuesi ideal i David Moyesit, që pritet të largohet në fund të edicionit aktual. Moyes e mori drejtimin e West Hamit në vitin 2019, por në edicionin e pestë të tij në krye të skuadrës angleze, i kanë munguar rezultatet pozitive.
Raportohet se për 57-vjeçarin, Lopetegui interesim ka shprehur edhe skuadra e Milanit.
Lopetegui ka drejtuar Porton, Real Madridin, Sevillan e Wolverhamptonin në nivel klubesh, si dhe Përfaqësuesen e Spanjës.
Me Sevillan e ka fituar Ligën e Evropës, ndërsa ka trofe evropianë me grupmoshat U21 dhe U19 të Spanjës.

Parisi interesohet për Rashfordin
Skuadra e Paris Saint-Germanit është duke e monitoruar sulmuesin e Manchester Unitedit, Marcus Rashford.
“BBC” ka bërë të ditur të martën se Parisi pritet së shpejti ta kontaktojë Rashfordin, e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt në “Old Trafford”.
Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2028, gjasat janë të mëdha që 26-vjeçari të largohet nga Unitedi gjatë verës.
26-vjeçari është produkt i akademisë së Unitedit, ndërsa me ekipin e parë ka debutuar në fillim të vitit 2016.
Anglezi këtë edicion në të gjitha garat me skuadrën angleze ka shënuar tetë gola dhe ka bërë pesë asistime.

Ten Hag mund të kthehet te Ajaxi
Trajneri John van 't Schip nuk e ka të sigurt qëndrimin edhe më gjatë si shef i shtabit teknik tek Ajaxi.
Drejtuesit e Ajaxit po e kërkojnë një trajner të ri, pasi nuk janë të kënaqur me rezultatet e Van’t Schipit.
Të martën, “Daily Mail” ka raportuar se Ajaxi është duke e menduar kthimin e Erik Ten Hagut si trajner për edicionin e ardhshëm në elitën e futbollit holandez.
60-vjeçari Van’t Schip është prej vitit 2023 trajner i Ajaxit, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2025.
Nën drejtimin e John van 't Schipit, Ajaxi nga 29 ndeshje ka shënuar 14 fitore, nëntë barazime e gjashtë humbje. Erik Ten Hag është pjesë e Unitedit dhe ka kontratë deri në vitin 2025.
