Skuadra e Aston Villas të hënën e ka zyrtarizuar mesfushorin belg, Amadou Onana.
22-vjeçari me skuadrën angleze ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare.
Pas nënshkrimit të kontratës, Onana ka theksuar se trajneri Unay Emery mund ta bëj futbollist më të mirë.
“Jam i lumtur që jam këtu, më në fund, dhe mezi pres të filloj. Këtu ka një atmosferë të shëndetshme për t’u rritur si lojtar dhe si njeri. Ekipi luajti futboll shumë tërheqës sezonin e kaluar me shumë gola dhe tani do të luajë në Ligën e Kampionëve. Do të luaj sërish në Champions dhe kjo është shumë emocionuese. Ne gjithashtu kemi një trajner që është një nga më të mirët në futboll dhe unë mendoj se ai mund ta çojë lojën time në një nivel tjetër”, deklaroi Onana për faqen zyrtare të klubit anglez.
Aston Villa ka paguar 50 milionë euro për ta transferuar belgun nga skuadra e Evertonit.
Yoro: Ferdinandi më ndihmoi për ta zgjedhur Unitedin
Ish-mbrojtësi anglez, Rio Ferdinand, ka kontribuar në transferimin e mbrojtësit Leny Yoro te Manchester Unitedi.
Të hënën Yoro në një intervistë për “BBC” ka treguar se Ferdinandi në një bisedë që kishin pasur javë më parë e kishte bindur për t’u transferuar tek Unitedi.
“Dy javë më parë më telefonoi Ferdinandi. Ne folëm për dhjetë minuta për Manchester Unitedin, kështu që ai më ndihmoi shumë për të bërë zgjedhjen time. Ai foli kryesisht për klubin dhe se si është atje. Se ky është një klub historik, me një histori të madhe dhe nëse shkoj atje duhet të luftoj për klubin, të jem gati, sepse është klubi më i madh në botë. Ishte vërtet mirë të flisja për këtë”, u shpreh Yoro.
18-vjeçari bëri paraqitje të mirë në debutim, në ndeshjen miqësore ndaj Rangersit. Francezi Yoro u transferua tek Unitedi nga Lille.
West Ham Unitedi kërkon Tomorin
West Ham Unitedi është interesuar për qendërmbrojtësin e skuadrës së Milanit, Fikayo Tomori, kanë raportuar të hënën mediume italiane.
Bëhet e ditur se Tomori po shihet si përforcim i duhur për West Hamin që po përgatit ofertën për ta bindur Milanin për lirimin e tij gjatë kësaj vere.
26-vjeçari ka kontratë me Milanin deri në vitin 2027, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 40 milionë euro. Tomori është pjesë e Milanit prej janarit të vitit 2021, kur iu bashkua nga Chelsea për 34 milionë euro. Në edicionin 2023/2024 ka bërë 35 ndeshje në të gjitha garat.