Skuadra e Arsenalit është e interesuar për shërbimet e mesfushorit të Real Sociedadit, Martin Zubimendi, ka njoftuar BBC të premten. Bëhet e ditur se pasi dështoi ta siguronte në afatin kalimtar të janarit, Arsenali do të tentojë përsëri transferimin e tij në verën e këtij viti.
Interesim për Zubimendin kanë shprehur edhe disa skuadra si Barcelona e Bayern Muncheni.
Zubimendi prej vitit 2020 është pjesë e ekipit të parë të Sociedadit, si dhe ka pesë paraqitje me përfaqësuesen e Spanjës.
Ai ka kontratë me skuadrën spanjolle deri në vitin 2027, ndërsa këtë edicion ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim në 44 paraqitje në të gjitha garat.
David në radarin e Napolit
Skuadra e Napolit ka hyrë në garë për transferimin e sulmuesit të Lillet, Jonathan David. “Calciomercato” shkruan të premten se Napoli tashmë ka kontaktuar Lillen dhe i ka bërë ofertë zyrtare për 24-vjeçarin.
Kanadezi, David po shihet si zëvendësuesi ideal i Victor Osimhenit i cili pritet të largohet në fund të edicionit nga skuadra italiane.
David këtë edicion ka vazhduar me formë të mirë, ndërsa është pjesë e Lillet prej vitit 2020. Në 43 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, David ka shënuar 24 gola dhe ka asistuar shtatë herë. Ai ka kontratë me skuadrën franceze deri në verën e vitit të ardhshëm.
