Portieri spanjoll, Kepa Arrizabalaga, pritet të huazohet te skuadra e Bournemothit. Spanjolli pritet që së shpejti t’i përfundoj testet mjekësore në klubin anglez.
Kepa së fundmi ishte pjesë e Real Madridit në formë huazimi. Drejtuesit e “Los Blancos” kanë vendosur që të mos e aktivizojnë opsionin e blerjes të portierit spanjoll nga Chelsea.
29-vjeçari me Chelsean ka kontratë edhe dy vjet. Pjesë e Chelseat është nga viti 2018. Ai ishte transferuar nga Athletic Bilbao për 80 milionë euro.
Me përfaqësuesen e Spanjës, Kepa ka të zhvilluara 13 ndeshje.
Ugarte afër transferimit tek Man. Unitedi
Mesfushori uruguaian, Manuel Ugarte, do t’i japë fund aventurës njëvjeçare te Paris Saint-Germaini. Ugarte karrierën pritet ta vazhdojë në Premier League. Skuadra e Manchester Unitedit ka arritur marrëveshje për transferimin e Ugartes nga Parisi. Kështu ka njoftuar eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano.
Ugarte pritet t’i përfundojë testet mjekësore së shpejti. Unitedi do t’i paguajë 60 milionë euro Parisit për t’i siguruar shërbimet e 23-vjeçarit.
Uruguaiani me Parisin ka kontratë deri në vitin 2028. Te gjiganti francez u transferua vitin e kaluar nga Sportingu i Lisbonës për 60 milionë euro.
Në edicionin e kaluar në 37 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka kontribuar me tri asistime.
Maresca: Plani i Chelseat është të shesë futbollistë
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, të martën është shprehur se synimi kryesor i klubit në afatin kalimtar të verës është të shesë futbollistë. Chelsea aktualisht ka shumë lojtarë në kontratë dhe një pjesë e tyre pritet të largohen ditëve të ardhshme.
“Objektivi është të zgjidhet problemi ekonomik për sa i përket shitjes së lojtarëve. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe të shohim se ku do të arrijmë. Për ne objektivi në këtë moment është të përmirësojmë futbollistët. Askush nga drejtuesit e klubit nuk më kërkoi të garoja për Premier League ose të garojmë për një vend në Ligën e Kampionëve. Unë dua të shoh ekipin tim të luajë në mënyrën se si ne duam të luajmë dhe të garojmë në çdo lojë”, ka thënë Maresca, shkruan “Reuters”.
Chelsea në afatin kalimtar të verës ka transferuar disa futbollistë si Joao Felix dhe Pedro Neto.