Sulmuesi i krahut të djathtë, Zhegrova është duke kaluar formë të mirë me skuadrën e Lilles këtë edicion dhe e ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave evropiane.
Raportohet se Zhegrova është një nga objektivat kryesore të trajnerit Daniele De Rossi për verën e këtij viti.
Zhegrova me fanellën e skuadrës franceze në të gjitha garat e këtij edicioni ka shënuar 12 gola dhe ka kontribuuar me nëntë asistime. 25-vjeçari me skuadrën e Lilles ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Me Kosovën, Zhegrova ka 36 paraqitje. Ka shënuar katër gola dhe ka kontribuar me tri asistime me fanellën e “Dardanëve”.
Bayerni njofton largimin e dy futbollistëve
Mbrojtësi i krahut Bouna Sarr dhe sulmuesi Eric Maxim Choupo-Moting do të largohen në verë nga skuadra e Bayern Munchenit. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga klubi.
“Ne i themi lamtumirën Bouna Sarrit, i cili do të largohet nga klubi këtë verë pas katër vjetësh. Gjithashtu do t'i themi lamtumirë edhe Eric Maxim Choupo Motingut. Faleminderit për gjithçka dhe ju urojmë gjithë të mirat”, ka shkruar Bayerni.
Kamerunasi Choupo-Moting është pjesë e gjigantit gjerman prej vitit 2020, i cili u transferua nga Paris Saint-Germani. Në 122 ndeshje për Bayerin, Chupo Moting ka shënuar 38 gola dhe ka bërë 13 asistime. Ndërsa senegalezi Bouna Sarr te klubi gjerman erdhi në vitin 2020 nga skuadra franceze Olympique Marseille për tetë milionë euro. Ai në të gjitha garat këtë edicion ka pesë paraqitje për Bayernin dhe ka kontribuar me një asistim.

West Hami insiston për sulmuesin maroken
Skuadra e West Ham Unitedit është e vendosur për ta transferuar sulmuesin e Sevillas, Youssef en-Nesyri, ka raportuar “Football Insider” të hënën.
West Hami ka nisur kontaktet me Sevillan, pasi ekipi spanjoll është i gatshëm ta lirojë marokenin. Për kartonin e 26-vjeçarit, ekipi anglez ka ofruar 25 milionë euro.
En-Nesyri po shihet si përforcim i duhur për sulmin te West Hami dhe drejtuesit e klubit do të përpiqen t’i sigurojnë shërbimet e tij për edicionin e ardhshëm në Premier League. Marokeni ka shënuar 19 gola në të gjitha garat këtë edicion për ekipin spanjoll, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025. Ai është pjesë e Sevillas prej vitit 2020, ndërsa ka luajtur edhe te Leganesi e Malaga.

Zaniolo dëshiron të kthehet në Itali
Sulmuesi Nicolo Zaniolo po dëshiron që të luajë sërish në Serie A. Fiorentina dhe Napoli janë dy skuadrat italiane të interesuara për Zanilon e Aston Villas. Italiani është i huazuar te Aston Villa nga gjigandi turk, Galatasaray. Huazimi i përfundon në verë, ndërsa Zaniolo preferon të paraqitet në Itali nga edicioni i ardhshëm.
Kohën më të madhe në karrierë Zaniolo e kaloi në Itali. Luajti për Romën, Interin, Fiorentinan dhe Genoan.
24-vjeçari me fanellën e Aston Villas këtë edicion në të gjitha garat ka shënuar tri gola. Me Galatesarayn edicionin e kaluar, Zaniolo e fitoi titullin e kampionit në Turqi.
Me përfaqësuesen e Italisë në 19 paraqitje ka shënuar dy gola.

Newcastle, favorit për Adarabioyon
Newcasltle United është favoriti kryesor për transferimin e mbrojtësit të Fulhamit, Tosin Adarabioyo, ka shkruar të hënën BBC. Anglezi, Adarabioyo pritet të transferohet si lojtar i lirë te Newcastle, pasi në fund të këtij edicioni i përfundon kontrata me Fulhamin. Interesim për 26-vjeçarin më herët kishin shprehur edhe skuadra e Milanit dhe Liverpooli.
Adarabioyo si futbollist është zhvilluar te akademia e Manchester Cityt. Ndërsa te Fulhami u transferua në vitin 2020 nga grup moshat U23 të Cityt për një milionë euro. Ai në 25 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat për Fulhamin ka shënuar dy gola.
