Thomas Tuchel i ka ditët e fundit si trajner i Bayernit, ndërsa drejtuesit e klubit bavarez vazhdojnë punën për të gjetur pasardhësin e tij. Bayernin deri më tani e kanë refuzuar disa trajnerë, ndërsa thuajse çdo ditë paraqitet emri i një kandidati të ri.
Në listën e trajnerëve që mund ta zëvendësojnë Tuchelin së fundmi është shfaqur edhe emri i holandezit Erik Ten Hag.
Mësohet se drejtuesit e Bayernit kanë kontaktuar me agjentin e Ten Hagut, por ende nuk është bërë e ditur për ndonjë marrëveshje, raporton të hënën BBC.
54-vjeçari Ten Hag është prej vitit 2022 trajner i Unitedit, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2025. Ka punuar edhe tek Ajaxi.
Moyes i jep fund aventurës te West Ham Unitedi
Trajneri David Moyes do të largohet nga skuadra e West Ham Unitedit në fund të këtij edicioni.
Lajmi është bërë i ditur të hënën nga klubi anglez.
Moyes është që nga viti 2019 trajner i ekipit të Premier Leagues, West Ham. Ai ka udhëhequr skuadrën angleze në 228 ndeshje, ndërsa ka 102 fitore, 43 barazime dhe 83 humbje. Raportohet se trajneri spanjoll Julen Lopetegui do të jetë pasardhësi i tij te West Hami.
Arsenali pret oferta për Jesusin
Arsenali do ta shqyrtojë çdo ofertë për sulmuesin 27-vjeçar, Gabriel Jesus, raporton të hënën “Football Insider”.
Te skuadra londineze nuk preferojnë ta mbajnë më gjatë sulmuesin brazilian, i cili në tregun e transferimeve vlerësohet 70 milionë euro. Jesus me Arsenalin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta iu bashkua në verën e vitit 2022 nga Manchester City për 52 milionë euro. Për Arsenalin këtë edicion Jesus ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar tetë herë.
Për përfaqësuesen e Brazilit ka të zhvilluara 64 ndeshje, ndërsa ka shënuar 19 gola.
Aston Villa në garë për Hermoson
Pas Beshiktashit, edhe Aston Villa është futur në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Atletico Madridit, Mario Hermoso, shkruan të hënën mediumi spanjoll “AS”.
Hermoso këtë edicion ka pasur paraqitje të mira në La Liga dhe tek Aston Villa po shihet si përforcim i duhur për repartin defensiv.
Kontrata me skuadrën spanjolle i përfundon në verën e këtij viti. Aston Villa po shpreson që ta transferojë si lojtar të lirë.
Hermoso këtë edicion në 41 ndeshje të zhvilluara ka dy gola të shënuar dhe dy asistime. Ai është produkt i akademisë së Real Madridit kurse tek Atletico është transferuar në vitin 2019 nga Espanyoli për 25 milionë euro.
Guirassy mund të përfundojë tek Arsenali
Skuadra e Arsenalit ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit të Stuttgartit, Serhou Guirassy.
“Fichajes” ka raportuar të hënën se Guirassy po shihet si zëvendësuesi ideal i Gabriel Jesusit, i cili nuk pritet të vazhdojë me Arsenalin.
Interesim për 27-vjeçarin ka shprehur edhe Bayern Muncheni dhe gjiganti italian Interi.
Sulmuesi i Guinesë ka kontratë me Stuttgartin deri në vitin 2026, ndërsa këtë edicion ka shënuar 27 gola dhe ka bërë tri asistime në të gjitha garat. Ai ka klauzolë lirimi në vlerë prej 20 milionë eurosh.
Milani favorit për Davidin
Sulmuesi Jonathan David pritet të jetë largimi i parë i Lillet në verë.
Kanadezi nga edicioni i ardhshëm pritet t’i bashkohet skuadrës së Milanit. “Calciomercato” shkruan të hënën se gjiganti italian është favorit për transferimin e Davidit. 24-vjeçari është golashënuesi i dytë më i mirë këtë edicion në Ligue 1. Me fanellën e Lillet ka shënuar 24 gola dhe ka bërë tetë asistime.
Në krye të listës së golashënuesve qëndron Kylian Mbappe me 43 gola.
Kontrata me skuadrën franceze, Jonathan Davidit i përfundon në vitin e ardhshëm. Te Lille u transferua në vitin 2020 nga Genti për 27 milionë euro.
Van Dijk konfirmon qëndrimin te Liverpooli
Mbrojtësi holandez Virgil van Dijk të hënën ka konfirmuar se nuk do të largohet nga skuadra e Liverpoolit në verë.
Van Dijk me Liverpoolin ka edhe një vit kontratë, ndërsa ka theksuar se është i lumtur dhe nuk është duke e planifikuar largimin, njofton “Sky Sports”.
“Nuk kam asgjë për të diskutuar sepse nuk ka asnjë lajm. Mendoj se klubi është shumë i zënë se kush do të jetë trajneri i ri dhe ky është fokusi kryesor i tij. Siç thashë, jam shumë i lumtur këtu, e dua klubin dhe ju mund ta shihni këtë gjithashtu”, tha Van Dijk.
32-vjeçari është njëri ndër lojtarët kryesorë të Liverpoolit. Këtë edicion mban edhe shiritin e kapitenit.
Man. Utd i gatshëm t’i lirojë Sanchon e Greenwoodin
Manchester Unitedi është duke shpresuar që t’i fitoj së paku 100 milionë euro nga shitja e Jadon Sanchos dhe Masson Greenwoodit, shkruan të hënën “BBC”.
Sulmuesi i krahut, Jadon Sancho, u largua nga Unitedi në afatin kalimtar të janarit pas disa mosmarrëveshjeve që i kishte me trajnerin Erik ten Hag. Ai u kthye te Borussia Dortmundi në formë huazimi.
Anglezi Mason Greenwood është pjesë e Getafes ku është i huazuar deri në fund të këtij edicioni.
Greenwood dhe Sancho nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Erik ten Hag për edicionin e ardhshëm në Premier League.
24-vjeçari Sancho me Dortmundin në 17 ndeshje të zhvilluara ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim.
Greenwood me Getafen këtë edicion në të gjitha garat ka shënuar dhjetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime.