Skuadra e Barcelonës ka besim se qendërmbrojtësi spanjoll Pau Cubarsi dhe sulmuesi Lamine Yamal do ta vazhdojnë kontratën, pavarësisht interesimit të disa skuadrave të mëdha evropiane për ta.
Për 16-vjeçarin Yamal së fundmi interesim ka shprehur Paris-Saint Germani. Mësohet se Barcelona ka refuzuar ofertën e parë 200-milionëshe të francezëve.
Në 42 paraqitje me fanellën e Barçës, Yamal ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë shtatë asistime. 17-vjeçari Cubars në 12 paraqitje ka kontribuar me një asistim.
Me përfaqësuesen e Spanjës, Yamal ka gjashtë ndeshje të zhvilluara dhe ka të realizuar dy gola. Cubarsi ka luajtur në dy ndeshje.
City nuk heq dorë nga Paqueta
Manchester City nuk ka hequr dorë nga transferimi i mesfushorit brazilian, Lucas Paqueta, raporton “Telegraph” të hënën.
West Ham Unitedi refuzoi ta shesë Paquetan për 80 milionë euro. City është i gatshëm të rrisë ofertën për brazilianin 26-vjeçar. Paqueta ka treguar paraqitje të mira me fanellën e West Hamit gjatë këtij edicioni.
Mesfushori ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar shtatë herë në 38 ndeshje.
Ai me skuadrën angleze ka kontratë deri në vitin 2027. Më herët, Paqueta ka luajtur për Lyonin dhe Milanin.
Koopmeiners në radarin e Chelseat
Skuadra e Chelseat është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të mesfushorit të Atalantas, Teun Koopmeiners, shkruan të hënën BBC.
Chelsea është e kënaqur me performancën e holandezit, pasi kishte dërguar edhe skautë për ta vëzhguar atë gjatë fitores së Atalantas në Europa League ndaj Liverpoolit.
24-vjeçari është pjesë e Atalantas nga viti 2021, i cili u transferua nga Alkmaari për 14 milionë euro.
Ai në të gjitha garat këtë edicion ka shënuar 13 gola dhe ka bërë katër asistime.
Me Holandën ka 21 ndeshje të zhvilluara dhe dy gola të realizuar.
Bayerni kontakton Zidanen
Skuadra e Bayern Munchenit është e interesuar që francezin, Zinedine Zidane ta ketë trajner për edicionin e ardhshëm në Bundesligë, shkruan të hënën “Marca”.
Thomas Tuchel ka njoftuar se do të largohet në verën e këtij viti nga posti i trajnerit te gjiganti gjerman.
Bayerni me Tuchelin këtë edicion nuk ka pasur paraqitje të mira. Skuadra u eliminua nga Kupa e Gjermanisë, humbi titullin e kampionit, ndërsa në garë është vetëm në Champions League.
Të mërkurën do të përballen në ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Arsenalit në stadiumin “Allianz Arena”, nga ora 21:00.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 2:2.
Zidane u largua nga Real Madridi në qershor të vitit 2021, dhe që atëherë francezi nuk ka udhëhequr ndonjë skuadër.
Për 51-vjeçarin më herët kanë shprehur interesim edhe disa skuadra të njohura evropiane si Juventusi dhe Paris Saint-Germani.