Futboll

Trajnerja kosovare udhëhoqi Celticun në debutimin në Champions

Elena Sadiku

Trajnerja me prejardhje nga Kosova, Elena Sadiku, ka arritur tjetër sukses në karrierën në futboll.

Të martën mbrëma 30-vjeçarja udhëhoqi kampionin skocez, Celticun, në ndeshjen e parë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për futbolliste. Celticu humbi 2:0 në shtëpi nga Twente, në praninë e afro 2800 shikuesve.

Elena Sadiku është e rritur në Suedi, por mban lidhje të fortë me Kosovën. Ajo e përfundoi herët karrierën si lojtare për shkak të lëndimeve dhe nisi punën si trajnere. Përvojën e parë e kishte si asistente në Kinë, te skuadra Beijing  Phoenix. Më pas ishte asistente te Rosengardi në Suedi dhe te Fortuna Hjorring në Danimarkë. Udhëhoqi si kryetrajner Eskilstunan në Suedi e më pas ishte trajnere e Evertonit U21. Në janar të këtij viti u bë e para trajnere që mori drejtimin e skuadrës së futbollisteve të Celticut. E udhëhoqi Celticun drejt titullit të parë të Skocisë e tani shkroi kapitull tjetër.

Celticu është ekipi i parë nga Skocia që paraqitet në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për futbolliste.

“Jam e dëshpëruar me golat që kemi pranuar. Mendoj se kundërshtaret nuk kanë krijuar shumë raste të tjera”, ka thënë Sadiku pas ndeshjes, shkruan BBC.

“Ne kishim shanse, por nuk i konkretizuam ato. Por jam krenare. Angazhimi ishte i madh dhe vajzat kanë luftuar shumë mirë. Liga e Kampionëve, faza grupore, është dallim i madh me Skocinë. Është përvojë që na duhet për të ardhmen”,  ka shtuar Elena Sadiku.

Më 17 tetor, Celticu luan në udhëtim me Real Madridin. Më 13 nëntor e pret Chelsean. Pra, është në grup shumë të fortë.

“Duhet të jemi më të përgatitura. Duhet ta kontrollojmë topin kur e kemi, duhet të jemi më të guximshme dhe të përballojmë presionin, ashtu siç bëmë në 15 minutat e para”, ka vazhduar Sadiku.

Ajo ka theksuar se Celticu ka kaluar pritshmëritë.

“Në janar, por edhe në verë, mendoj se askush nuk ka pritur të jemi ku jemi tani. Ishte përvojë e shkëlqyer. Do të mësojmë dhe vërtet mund të paraqitemi më mirë në ndeshjet e ardhshme. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Do të angazhohemi që të kemi sa më shumë pikë”, ka shtuar Sadiku.

Ajo është e vetmja trajnere shqiptare në nivelin serioz të futbollit evropian. Edhe numri i futbollisteve shqiptare në nivel serioz është fare i vogël.

Celticu arriti në fazën grupore duke kaluar dy raunde të kualifikimeve.