Futboll

Trajneri Lee mbështetet në ndihmën e Asanit në Championsin aziatik

Jasir Asani

Jasir Asani i shënoi dy gola ndaj kampionit të Japonisë, Vissel Kobes, dhe ia siguroi Gwangjut çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të Azisë.

Gwangju në Korenë e Jugut më 12 mars fitoi 3:0 dhe avancoi tutje në garën e rëndësishme.

Sulmuesi i Shqipërisë ka nëntë gola në Championsin aziatik dhe bashkë me Anderson Lopesin e Yokohamas, janë golashënuesit më të mirë.

Të premten prej orës 18:30, Asani dhe Gwangju luajnë në udhëtim tek Al Hilali i Arabisë Saudite, në stadiumin “King Abdullah Sports City”.

Në çerekfinale të garës janë tri skuadra nga Arabia Saudite, dy nga Japonia, dhe një nga Koreja e Jugut, Katari dhe Tajlanda.

Trajneri i skuadrës, Lee Jung-Hyo, ka folur për kundërshtarin e radhës dhe për ndeshjen në tërësi.

“Çdo minutë, çdo sekondë do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja ndoshta do të zgjas 100 minuta dhe është shfaqje për ne, për t’i treguar botës se si luajmë. Do të jetë ndeshje për jetë a vdekje. Njëri do të fitojë ndërsa tjetri do të vdes”, ka deklaruar trajneri Lee në konferencën për shtyp të enjten.

Gwangju është skuadër debutuese në këtë garë.