Sparta Praga barazoi 1:1 në udhëtim tek Ostrava, të shtunën në xhiron e 28-të të elitës së futbollit të Çekisë.
Pas barazimit që e la Spartën në vendin e katërt me 56 pikë, trajneri Lars Friis ka pasur lëvdata për lojtarët, në veçanti për Ermal Krasniqin.
Sipas teknikut danez, Krasniqi ka bërë ndeshje të mirë.
Krasniqi ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 80-të.
Ndërkohë, Qazim Laçi u inkuadrua në minutën e 61-të, kurse Albion Rrahmani e Indrit Tuci mbetën në bankën rezervë te Sparta.
“Nuk është faji i tij që hezitoi në disa momente. Është më shumë faji im, pasi nuk e udhëzova për kohë të gjatë në ndeshje. E marr përgjegjësinë për këtë. Krasniqi ishte faktor vendimtar në pengimin e lojës së kundërshtarit. Ai është luftëtar, është spartan. Pavarësisht gabimeve, ai luajti ndeshje të madhe”, ka thënë trajneri Friis në konferencën për shtyp, shkruan të dielën “ruik.cz”.
Krasniqi ka pesë gola e tri asistime në 33 paraqitje në Çeki. Për Spartën është edicion i pasuksesshëm. Skuadra është jashtë garës për titull.