Rapidi i Bukureshtit të shtunën do të luajë në derbin kundër Clujit, në kuadër të xhiros së 17-të të elitës së futbollit rumun.
Te Rapidi aktualisht luan futbollisti i Kosovës, Florent Hasani, ndërsa në të kaluarën kanë luajtur edhe Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi.
Në konferencën për shtyp të enjten, trajneri Marius Sumudica, ka thënë se Hasani është trajtuar njësoj si gjithë lojtarët e tjerë të ekipit, pavarësisht incidentit që ndodhi të premten e kaluar në Bukuresht, në ndeshjen Rumania - Kosova.
Lojtarët e Kosovës ishin larguar nga fusha pas thirrjeve “Serbi, Serbi”. Të mërkurën, UEFA vendosi që fitorja t’i takojë Rumanisë me rezultatin zyrtar 3:0, ndërsa gjobë të madhe dha për Federatën e Futbollit të Rumanisë, me totalin e 128 mijë eurove.
“Ai është trajtuar njësoj si gjithë futbollistët e tjerë, nga i gjithë stafi dhe nga gjithë lojtarët e ekipit. Hasani po e bën punën e tij. Nuk jam tip nacionalist për të bërë dallime të tilla dhe ai nuk ishte i përfshirë në asgjë. Nuk kemi diskutuar dhe nuk duam të diskutojmë për këtë çështje. Ai është nga Kosova, e respektoj si lojtar dhe po e lë ta bëj punën e tij për Rapidin”, ka deklaruar trajneri Sumudica.
Mesfushori 27-vjeçar ka 11 paraqitje në edicionin aktual për Rapidin, ndërsa e ka një gol të shënuar e një asistim.