Futboll

Trajneri i Lillet zbulon se çfarë i mungon Zhegrovës

Edon Zhegrova

Njëri prej lojtarëve më në formë te skuadra e Lillet, Edon Zhegrova, ende ka aspekte të cilat duhet t’i përmirësojë në lojën e tij, ka thënë të mërkurën trajneri Bruno Genesio, shkruajnë mediumet franceze.

Në grupin e lojtarëve të talentuar, vlerësohen shumë edhe 24-vjeçari Jonathan David e Benjamin Andre, 34-vjeçar. 

25-vjeçari Zhegrova, sulmues i Kosovës, bën pjesë në atë grup po ashtu. 

Ai mungoi në ndeshjen e fundit në udhëtim te Montpellieri për shkak të lëndimit të muskulit aduktor.

Ndeshja u mbyll baras, 2:2. 

“Ai është lojtar i talentuar, i cili është në gjendje ta bëj dallimin në çdo periudhë të ndeshjes”, ka bërë të ditur të mërkurën Genesio për mediumin “Europe 1”. “Kam marrëdhënie të mirë me të dhe ai mendon se mund të përmirësohet në vazhdimësinë e ndeshjeve të mira. Ai duhet që të jetë i mirë në çdo ndeshje dhe mendon se mund të përmirësohet në këtë aspekt”, insiston Genesio. 

Zhegrova në edicionin aktual me Lillen ka zhvilluar 19 ndeshje, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, në ligën e kësaj gare si dhe në kampionatin elitar të Francës. 

Ka shënuar tetë gola ndërsa i ka edhe dy asistime. 

Golat i ka shënuar ndaj skuadrave si Fenerbahçe, Slavia Praga, Atletico Madridi, Paris Saint-Germaini, Strasbourgu e Rennesi. 

Ka asistuar në ndeshjen ndaj Juventusit e Le Havres. 

Një gol e ka shënuar edhe me Kosovën në Ligën e Kombeve, atë ndaj Lituanisë në fitoren 2:1 në udhëtim.

“Ai është faktor sepse është në gjendje të shënojë gola të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka bërë në Kupat evropiane, sidomos në ato të plejofit. Është i dashur për të gjithë dhe është integruar shumë mirë te skuadra e Lillet”, ka vazhduar tutje trajneri Genesio. 

Në edicionin 2023/2024, Zhegrova pati 12-të gola të shënuar në total, derisa kishte dhuruar edhe dhjetë asistime nën drejtimin e trajnerit Paulo Fonseca.