Futboll

Trajneri i Ipswichit heq presionin që rëndonte Aro Muriqin

Aro Muriq

Trajneri i Ipswich Town, Kieran McKenna, i ka dalë në mbrojtje portierit të Kosovës, Arijanet Muriqit, pas humbjes 4:3 nga Brentfordi vikendin e kaluar dhe në prag të ndeshjes ndaj Leicester Cityt. 
Ipswich – Leicester zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 dhe i takon xhiros së dhjetë të Premier Leagues së Anglisë. 

Kur ballafaqimi i kaluar po shkonte drejt përfundimit 3:3, një top i harkuar në zonë nga Bryan Mbeumo përfundoi në portë, pasi portieri 25-vjeçar Muriqi, nuk e vlerësoi mirë situatën. 

Brentfordi me atë gol të minutës së 96-të i fitoi pikët e plota. Muriqi u kritikua për golin e pranuar. 

“Pas çdo goli është e lehtë të flasësh për rrjedhën e aksionit”, ka thënë trajneri McKenna të premten në konferencën për shtyp, për shënimin e Mbeumos në fundin e ndeshjes në “Gtech Community Stadium”. 

“Duhet ta shohim gjithë sekuencën dhe pozicionimin e skuadrës në atë gol. Mund ta menaxhonim më mirë ndeshjen në ato momente. Por me dhjetë futbollistë në fushë në ndeshjet si mysafirë, gjithmonë është mundësia që topi të përfundojë brenda në zonë”. 

Ipswichi nga minuta e 69-të mbeti pa Harrison Clarken, që u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë. 

Trajneri McKenna ka folur fjalë të mëdha për portierin e Kosovës dhe është munduar që ta largojë presionin nga ai dhe bashkëlojtarët e tij. 

“Aro e di se ka mundur të reagonte më mirë në atë situatë. Ai është profesionist me standarde të larta dhe natyrisht se ai donte të bënte më mirë. Por është e rëndësishme të kujtohet se ai bëri disa pritje të shkëlqyera gjatë atij ballafaqimi, si kur ishim të barabartë në numër të lojtarëve, ashtu edhe kur mbetëm me një më pak”, ka vazhduar McKenna.

Tekniku 38-vjeçar shtoi se portieri ende është duke u përshtatur me dinamikën, duke nënvizuar momentet e tij të mira dhe vendimtare në disa raste. Por, McKenna tha se Muriqit i duhet edhe pak kohë pasi është në ambient të ri dhe stil të lojës ndryshe nga i kaluari. 

“Ai është lojtar kualitativ me karakter të fortë, i cili me të vërtetë kujdeset për suksesin ekipor. Ai e ka përkrahjen tonë më të madhe. Po punon fort për t’u kthyer në formën maksimale dhe për ta ndihmuar ekipin”.

Ipswichi, bashkë me Wolverhamptonin dhe Southamptonin, janë skuadrat e vetme pa fitore në nëntë ndeshjet e para të këtij edicioni. Ipswichi është i 18-ti me katër pikë. Dy pikë i ka Wolvesi i parafundit, ndërsa një pikë e ka Southamptoni në pozitën e fundit. 

“Kur luan jashtë shtëpisë dhe shënon tri gola në Premier League, je duke bërë punë të mirë. Pësimi i katër golave, padyshim se është dëshpërues. Por duhet përmendur se jemi përballur në shtëpi me sukses, edhe ndaj ekipeve më të forta të ligës. Jemi në presion, por duhet të fokusohemi deri në fundin e ndeshjeve. Ka shumë gjëra pozitive te kjo skuadër”, deklaroi McKenna.

Muriqi, në elitën angleze këtë edicion, ka luajtur në tetë ndeshje. Ka pranuar 18 gola, ndërsa nuk pranoi gol në duelin ndaj Brightonit. 

Pas ndeshjeve ndaj Leicesterit dhe Tottenhamit në udhëtim, Muriqi do t’i bashkohet Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji, të fundit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.