Vedat Muriqi do të jetë plotësisht i gatshëm për lojë për duelin që Mallorca të shtunën e zhvillon në shtëpi përballë Villarrealit në La Liga.
Kështu ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.
Dueli i xhiros së pestë të elitës së futbollit spanjoll zhvillohet të shtunën nga ora 14:00.
“Ai ka stërvitur si gjithë të tjerët dhe është i gatshëm për lojë. E kam parë në formë të mirë, në gjendje të përkryer. Nuk e di çfarë ka ndodhur, por i kam parë dy golat. Ai është lojtar i përkushtuar në atë që e bën. Në ndeshjen e parë luajti vetëm në pjesën e parë, ndërsa në të dytën zëvendësimi ishte për ta ruajtur. Këtë javë u stërvit normalisht dhe është i gatshëm, për fatin tonë”, ka deklaruar ai.
Muriqi luajti për 66 minuta kundër Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në disfatën 3:0.
Ndaj Qipros realizoi dy gola, në minutën e nëntë e të 21-të, dhe luajti vetëm në pjesën e parë.
Muriqi formë të mirë ka shfaqur edhe me Mallorcan në nisje të edicionit të ri.
Në katër ndeshje të zhvilluara në La Liga, e ka një gol të shënuar ndaj Real Madridit në barazimin 1:1, dhe një asistim ndaj Leganesit në fitoren 1:0.