Një penallti e dyshimtë e dhënë në ndeshjen Suhareka – Feronikeli 74, solli akuza të tjera në futbollin kosovar. Suhareka fitoi 2:0 ndaj skuadrës nga Drenasi për të kaluar në vendin e parë të Superligës së Kosovës në futboll.
Goli i parë i Suharekës u shënua në fund të pjesës së parë. Mevlan Zeka konkretizoi një penallti të dhënë për një ndërhyrje të dhënë në zonë. Në fakt arbitri e vlerësoi ndërhyrje të palejuar, derisa te Feronikeli 74 thonë se nuk kishte fare ndërhyrje.
Zeka në pjesën e dytë e shënoi edhe një gol dhe Suhareka e vazhdoi ecurinë shumë të mirë në edicionin e parë në elitë.
Ndeshja e së shtunës, e zhvilluar në Suharekë, i takoi xhiros së gjashtë të elitës kosovare të futbollit.
Suhareka i ka luajtur pesë ndeshje deri më tani. Ka katër fitore e një barazim. Është skuadra e vetme pa humbje. Dhe me 13 pikë është lidere.
Ndërkohë Feronikeli 74 e ka pësuar edhe humbjen e gjashtë rresht. Mbetet i fundit në tabelë, pa pikë.
Te klubi nga Drenasi thonë se padrejtësitë ndaj tyre kanë nisur edicionin e kaluar.
“Sezonin e kaluar u munduan të na nxjerrin nga liga duke mos kursyer asgjë nga mekanizmat në dispozicion. Ndërsa synimi po vazhdon edhe tani, por në një nivel tjetër e edhe më shqetësues – duke mos u shfrytëzuar apo duke mos u konsultuar as me mjetin e futbollit modern, VAR-in, i cili është në shërbim të ndarjes së drejtësisë në fushën e gjelbër. Skandaloz ishte sot akordimi i penalltisë në favor të Suharekës. 11-metërshin nuk e priste as lojtari suharekas, duke e ditur mirë se aty nuk ndodhi asnjë kontakt fizik mes lojtarëve”, ka shkruar të shtunën pasdite kryetari i klubit Feronikeli 74, Erlind Krasniqi.
Ai ka konkluduar se dallaveret në futbollin kosovar janë të mëdha. E ka përmendur edhe FFK-në.
“Krejt kjo mbase e ka një pyetje të drejtë – djalin e kujt në FFK duhet ta marrim në ekip për të pasur sukses. Natyrisht se ka pak tifozë në tribuna sepse dallaveret janë të mëdha”.
Edhe kapiteni i Feronikelit 74, Lapidar Lladrovci bëri akuzë publike, duke shkruar: “po vjen era para në Suharekë”.
Ndërkohë me komunikatë doli edhe Feronikeli 74.
“Klubi Feronikeli 74 sot u dëmtua sërish nga referimi skandaloz, tani i gjyqtarit Eridon Podvorica. Akordimi i penalltisë në fundin e pjesës së parë nuk kishte asnjë arsyeje dhe më këtë veprim të gjyqtarit u habiten edhe nga ekipi kundërshtar, Suhareka. Feronikeli 74 sikurse sezonin e kaluar po dëmtohet rëndë edhe tani nga gjyqtarët. Kërkojmë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), që më në asnjë ndeshje të supeligës të mos referojë Eridon Podvroica. Nëse në këtë drejtim nuk merren masa, atëherë ne do ta shqyrtojmë mundësinë edhe të largimit nga gara. Nëse këtyre referëve nuk iu mjaftojë loja e barazhit për të larguar Feronikelin 74 nga Superliga, atëherë çfarë ka mbetur tjetër pa u bërë nga soji i këtyre gjyqtarëve. Klubi ynë rrezikon edhe largimin e sponsorëve dhe mundin e tyre nëse referët e FFK-ja ndikojnë direkt në rezultate. Përmes këtyre gjesteve dikush po dëshiron që të kthehen veprime jo sportive në futbollin kosovar!”, ka shkruar klubi drenicas.
Po të shtunën ka pasur edhe skena dhune të lidhura me futbollin. Në Fushë-Kosovë, ku u zhvillua ndeshja e Ligës së Parë mes Fushë-Kosovës dhe Vushtrrisë, ka pasur përleshje të tifozëve. Janë parë edhe thika e po ashtu intervenim i policisë.
Dhuna është shfaqur fuqishëm në fillim të këtij edicioni në futbollin kosovar. Ndërkohë akuzat për garë të padrejtë e ndikim të gjyqtarëve sa shkojnë e shpeshtohen.