Futboll

Tjetër hap i madh i Krasniqit, kalon te kampioni i Çekisë

Ermal Krasniqi

Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, ka bërë hap tjetër të rëndësishëm në karrierë. Pas periudhës së shkurtër te Rapidi i Bukureshtit, Krasniqi të premten u transferua te kampionia e Çekisë, Sparta e Pragës.

Për Spartën është përforcimi i parë për këtë verë. Klubi çek i ka bërë prezantim të bukur 25-vjeçarit, prej të cilit pret shumë.

“Ne sollëm Ermalin për shkak të tipologjisë së tij. Ai është i shpejtë, dinamik. Në disa ndeshje, sidomos në gara evropiane, kemi ndier që na mungon më shumë shpejtësi. Dhe Ermali na ndihmon në këtë drejtim”, ka shpjeguar Tomash Rosicky, drejtor sportiv i Sparta Pragës.

“Ai luan në pozita të ndryshme në pjesën ofenzive. Ai është po ashtu i rrezikshëm për kundërshtarët pasi di si të shënoi gola dhe të asistojë”, ka shtuar Rosicky.

Pasi fitoi përvojë në disa skuadra kosovare, Krasniqi shpërtheu te Ballkani i Suharekës. Në janar të vitit të kaluar firmosi me Clujin e elitës rumune. Te Cluji qëndroi një vit, ndërsa në 39 paraqitje i kishte pesë gola e katër asistime. Pasi humbi vendin në ekipin bazë, në janar të këtij viti iu bashkua Rapidit të Bukureshtit, ku u shfaq dukshëm më mirë. Në 17 paraqitje i kishte gjashtë gola e tri asistime.

“Tani Ermali do të ofrojë talentin e tij te Sparta, ku jemi të bindur se do të krijojë shumë momente të shkëlqyera”, shkruan klubi çek.

Mediat në Rumani kanë shkruar se transferimi i Krasniqit i ka kushtuar Spartës plot dy milionë euro. Parashikohen edhe bonuse që mund t’i sjellin 300 mijë euro të tjera klubit rumun, varësisht nga paraqitjet e kosovarit.

Nga transferimi i Krasniqit pritet të përfitojnë edhe Cluji dhe Ballkani. Cluji e kishte blerë Krasniqin nga Ballkani për 200 mijë euro. Ndërkohë e shiti te Rapidi për 1 milion euro.

Sparta për trajner e ka danezin Brian Priske. Te kjo skuadër luan edhe Qazim Laçi. Sparta i ka 38 tituj të kampionit gjithsej. Ka fituar dy edicionet e fundit të kampionatit çek. Në edicionin e fundit e ka fituar edhe Kupën e Çekisë.

Krasniqi me Sparta Pragën do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ai i ka katër paraqitje me Kosovën, ndërsa pas transferimit te Sparta pritet t’i rritet edhe vlera në përfaqësuese.