Ndeshjet e plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve përfunduan të mërkurën në mbrëmje dhe tashmë dihen 16 skuadrat që do të luftojnë për trofeun e çmuar evropian.
Paraqitjen më bindëse të mërkurën mbrëma e pati Real Madridi, që e eliminoi Manchester Cityn pas fitores 3:1 në “Bernabeu” në ndeshjen kthyese.
Real Madridi për kundërshtar të radhës do ta ketë Atletico Madridin apo Bayer Leverkusenin. Njëra prej Atletico Madridit apo Bayer Leverkusenit do të luajë ndaj Bayern Munichut. Pra, vlerësohen dy prej shumë ndeshjeve të forta, e që mund të jenë edhe derbi të një shteti.
Kjo do të mësohet të premten në Nyon të Zvicrës, kur edhe do të tërhiqet shorti për fazën e një të tetës së finales në garën elitare evropiane për klube.
Tetë më të mirat e fazës së ligës kanë përparësi në short dhe vlerësohen si bartëse. Do të ballafaqohen me tetë ekipet e tjera që siguruan këtë fazë të garës pas dy ndeshjeve të luajtura në plejof.
Formati i ri i Ligës së Kampionëve është zgjeruar këtë edicion. Më herët ishin zhvilluar 125 ndeshje në total, ndërsa edicioni i sivjetmë gjithsej do t’i ketë 189 ndeshje deri në finalen që do të zhvillohet në Munih, më 31 maj.
Ekipet bartëse në short do të jenë në një vazo. Për shembull, vendi i parë Liverpooli, dhe Barcelona e dyta, do të vendosen në dy kahe të ndryshme të shortit dhe nuk do të mund të takohen deri në finale.
Ndryshe nga edicionet e kaluara, në një të tetën e finales, ekipet e një shteti do të mund të luajnë kundër njëri-tjetrit që nga kjo fazë e garës.
Edhe ndeshjet e kësaj faze të garës do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Duelet e para do të luhen më 4 dhe 5 mars, ndërsa ato kthyese më 11 e 12 mars.
Përparësia e skuadrave që përfunduan në njërin prej tetë vendeve të para në fazën e ligës do të jetë terreni vendës në ndeshjen kthyese.
Shorti i së premtes nuk do t’i caktojë vetëm kundërshtarët për 1/8 e finales, por do të vendoset edhe rruga deri në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
Nga shorti i mëparshëm, është vendosur edhe se kush mund të jenë kundërshtarët e ardhshëm për ekipet që luajtën në plejofin e fazës nokaut të “Championsit”.
Dhe, njësoj si në ndeshjet e kaluara, tjera ndeshje të zjarrta pritet të ketë.
Paris Saint-Germaini që me rezultatin e përgjithshëm 10:0 e eliminoi skuadrën tjetër franceze, Brest, për kundërshtarë mund ta ketë njërën prej Liverpoolit apo Barcelonës.
Me njërën prej dy ekipeve të mëdha evropiane mund të ballafaqohet edhe Benfica.
Club Brugge dhe Dortmundi përballë do t’i kenë njërën prej Lillet apo Aston Villas.
Ndërkohë, skuadrat holandeze, PSV Eindhoveni dhe Feyenoordi, që eliminuan dy skuadra italiane, përkatësisht Juventusin dhe Milanin, do të ballafaqohen me Arsenalin ose Interin.
Dy liga do të shpërblehen me nga një skuadër ekstra për pjesëmarrje në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, varësisht nga paraqitja e tyre në Evropë në këtë sezon.
Për këtë sezon këtë mundësi e kishin Italia dhe Gjermania, pas sukseseve që kishin. Dortmundi ishte në finale të Ligës së Kampionëve, kurse Atalanta ishte fituese e Ligës së Evropës.
Çerekfinalet e Ligës së Kampionëve luhen më 8 e 9 dhe 15 e 16 prill, ndërsa gjysmëfinalet zhvillohen në fund të muajit prill dhe në fillim të majit.
Nga ora 13:00 dhe 14:00 tërhiqet shorti edhe për Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.