Manchester Unitedi kishte epërsi 2:0 në pjesën e parë ndaj Lyonit në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Evropës, të enjten në “Old Trafford”. Manuel Ugarte dhe Diogo Dalot ishin realizatorë.
Pjesa e dytë ishte e zjarrtë dhe Lyoni i barazoi shifrat me Corentin Tolisson e Nicolas Tagliaficon.
Tolisso në minutën e 89-të u përjashtua me të kuq dhe u mendua se Unitedi do të triumfonte lehtësisht në vazhdime. Edhe ndeshja e parë u mbyll 2:2 në Francë.
Por, Lyoni realizoi dy gola me Ryan Cherkin dhe Alexandre Lacazetten, në minutën e 105-të dhe 110-të.
Shumë prej tifozëve në “Teatin e Ëndrrave” nisën të largoheshin pasi nuk kishin shpresë se ekipi i tyre mund të kthehej më në lojë.
Ndodhi e papritura. Unitedi realizoi tri herë nga minuta 114 deri në minutën e 121-të me Bruno Fernandesin, Kobbie Mainoon dhe qendërmbrojtësin Harry Maguire, për fitoren 5:4 dhe avancimin në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 7:6.
Goli i Maguires ishte i pari i fitores i shënuar në minutën 120 në historinë e Ligës së Evropës dhe i pari në një ndeshje evropiane qëkur Atletico Madridi e mposhti Liverpoolin në “Anfield” në mars të vitit 2020.
Unitedi e regjistroi vetëm fitoren e dytë 5:4 në histori. Për herë të parë me këtë rezultat kishte fituar ndaj Arsenalit në elitën angleze në shkurt të vitit 1958.
Ndërkohë, të enjten mbrëma, për herën e parë u shënuan pesë gola në kohën shtesë në një ndeshje të kupës evropiane.
Në gjysmëfinale, më 1 maj, Unitedi e luan ndeshjen e parë në udhëtim tek Athletic Bilbao.