Karim Adeyemi i Dortmundit deri tani e kishte vendosur rekordin për shpejtësinë më të madhe të arritur në një ndeshje të Bundesligës gjermane.
Por një tjetër sulmues e ka thyer rekordin e tij në këtë statistikë.
“Ai vrapon më shpejtë se të gjithë. Në paraqitjen e tij të dytë për Heidenheimin, Sirlord Conteh 28-vjeçar, ka hyrë menjëherë në histori të Bundesligës. Në ndeshjen kundër Augsburgut, sulmuesi e theu rekordin e shpejtësisë që e mbante 22-vjeçari dhe ylli i Dortmundit, Karim Adeyemi”, ka shkruar gazeta gjermane “Bild” të mërkurën.
Conteh në minutën e 85-të kishte arritur shpejtësinë maksimale prej 36.67 km/h. Askush në Bundesligë nuk e ka arritur shpejtësinë e tij, qëkur ka nisur mbledhja e të dhënave në elitën gjermane të futbollit.
Conteh e ka lënë prapa Adeyemin, që shpejtësinë maksimale e kishte arritur me 36.65 km/h, në edicionin 2022/23, në duelin kundër Freiburgut.
Conteh nga Paderborni u transferua te Heidenheimi për 700 mijë euro.
Fakt interesant është se legjenda e sprintit, ish-atleti Usain Bolt tani 38-vjeçar, pas pensionimit u aktivizua në futboll. Në një ndeshje futbolli, xhamajkani e kishte regjistruar shpejtësinë maksimale prej 44.72 km/h.