Futboll

Thirrjet për Messin nisën një orë para loje, ai përgatiti dy gola

Lionel Messi

Më shumë se një orë para se të niste ndeshja e parë në  Copa America, nisën thirrjet e tifozëve “Messi, Messi”. Dhe superylli argjentinas la gjurmën e tij në fitoren 2:0 të Argjentinës ndaj Kanadasë, të premten në Atlanta të SHBA-së. Ndeshja u zhvillua në praninë e 70 mijë shikuesve. 

Messi përgatiti të dy golat, ndërsa e luajti ndeshjen e 35-të në Copa America, që është rekord. Pasimi i tij solli golin e Julian Alvarezit në minutën e 49-të, ndërsa asistoi për Lautaro Martinezin në minutën e 89-të. Tani i ka 18 asistime në histori të Copa America.

“Të duhet dikush si Messi për ta bërë atë pasim”, ka thënë selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni.

Messi ka mbetur në 108 gola me Argjentinën, ndonëse i kishte disa raste të mira.

Ndeshja ishte e fundit për Messin si 36-vjeçar. Ai mbush 37 vjet të hënën, kurse Argjentina luan ndaj Kilit një ditë më parë.