“Ka gabime të portierëve, ka gabime të rënda të portierëve dhe më pas janë llojet e gabimeve që Arijanet Muriq e bëri të shtunën. Nuk ishte vetëm që portieri i Burnleyt lejoi që topi i pasuar nga bashkëlojtari të shkonte nën këmbën e tij dhe të përfundonte në portë. Ishte se ai e bëri këtë në ndeshjem ndoshta më të madhe të edicionit në Premier League për klubin e tij. Kur skuadra e tij, e rrezikuar me rënie nga Premier League, po udhëhiqte 1:0 ndaj Brightonit. Sa hap e mbyll sytë tri pikë u bënë një”.
Kështu ka shkruar sajti i njohur “The Athletic” në një analizë të bërë të dielën lidhur me gabimin e portierit të Kosovës në ndeshjen e rëndësishme të Premier Leagues. Muriq gjithë edicionin kishte qëndruar në stol te Burnley. E fitoi rastin ndaj Brentfordit më 16 mars dhe shkëlqeu. Pas dy ndeshjeve me Kosovën, ishte më i miri në barazimin 2:2 të Burnleyt me Chelsean. U vlerësua lartë ndaj Wolvesit, ndërsa me Evertonin e Brightonin bëri gabime të rënda. Sidomos gabimi me Brightonin ishte fatal, ndonëse në përgjithësi kishte paraqitje pozitive.
“Ishte padyshim gabimi më i kushtueshëm i një portieri në Premier League dhe për më tepër ishte i dyti rresht i tij. Ai pësoi ngjashëm edhe ndaj Evertonit javën e kaluar”, vazhdon shkrimi i “The Athletic”.
Muriq për kohë të gjatë ishte rezervist i James Traffordit, të cilin Burnley e angazhoi në korrikun e kaluar për 15 milionë euro nga Manchester City. Kosovari kishte shkëlqyer edicionin e kaluar në Championship, por Trafford u favorizua para tij këtë edicion. Trafford nuk është se shkëlqeu, duke pranuar 62 gola
Te Burnley kanë bërë çdo gjë për t’i dalë në mbrojtje shtatlartit Muriq. Gjasat e skuadrës për të mbetur në Premier League tashmë janë të vogla. Burnley është i parafundit me 20 pikë. 25 pikë i ka Lutoni në vendin e 18-të, që po ashtu dërgon në Championship. Nottinghami i vendit të 17-të i ka 26 pikë. Janë edhe pesë xhiro deri në fund.
“Jemi ne (trajnerët). Nuk është faji i tij, është faji ynë”, ka thënë Craig Bellamy, ndihmëstrajner te Burnley. Ai ka theksuar pas ndeshjes që i kanë thënë Muriqit të luaj me mbrojtësit.
“Ne nuk do të ndryshojmë. Ai ka shënuar gola për ne duke bërë atë që bën. Nuk është çështje. Kështu na pëlqen të luajmë. Mund të mos jetë për të gjithë (mënyra e duhur), por ne besojmë në këtë mënyrë. Merre topin, shiko sërish për pasim”, ka shtuar Bellamy.
Muriq ishte i dëshpëruar. Pas fishkëllimës së fundit ai u ngushëllua nga bashkëlojtarët.
“Gjithë përkrahjen për Aron”, ka thënë mbrojtësi i qendrës Maxime Esteve.
“Ai është portier shumë, shumë i madh. Ai shfaq shumë në stërvitje, në ndeshje. Ai bëri shumë pritje që ishin të rëndësishme, Aro shpëtoi ekipin. Është futboll, ai do ta mbajë kokën lartë dhe ekipi është me të”.
Bellamy përmendi pritjen që bëri Muriq në kohën shtesë për të mbajtur rezultatin e barabartë, ndonëse u sinjalizua ofsajd.
“Të gjithë bëjmë gabime. Ka të bëjë se si reagojmë pas tyre. Nuk kam asgjë tjetër pos lavdeve për të. Ai është i gatshëm të vazhdojë”, tha Bellamy.
Ishin këto fjalë të mira për Aro Muriqin, që kryesisht është paraqitur në nivel të lartë për Burnleyn. Por që ka bërë gabime të kushtueshme po ashtu. Mbetet të shihet nëse Burnley do ta mbajë në portë për ndeshjet e mbetura.