Prishtina me trajnerin Jean-Michel Cavalli kishte ecuri prej shtatë barazimeve e tri disfatave para se të fitonte ndaj Feronikelit 74 në Superligën e Kosovës. Në fillim të prillit, Prishtina ishte mposhtur sërish nga Malisheva dhe kjo bëri që tekniku francez të largohej nga skuadra, ndonëse klubi i kaltër njoftoi se bashkëpunimi është ndërprerë për shkak të “gjendjes shëndetësore” të Cavallit. Vetëm dy ditë pas asaj disfate, më 6 prill në krye të skuadrës u emërua Arsim Thaqi. Trajneri Thaqi u kthye te Prishtina në mesjavë për duelin e Kupës ndaj Dritës. Gjysmëfinalen e parë, Prishtina e fitoi 1:0 në udhëtim. Më 23 prill e luan ndeshjen kthyese në “Fadil Vokrri” dhe ka gjasa të mira për të avancuar në finale e për të shpresuar në trofe. Rrjedhimisht, për ta fituar edhe vendin në garat evropiane për edicionin tjetër, që është synim edhe i teknikut 53-vjeçar.
“Cilindo drejtim, qoftë në Kupë, qoftë në kampionat, është shumë e rëndësishme që Prishtina ta shpëtojë sezonin. E kam thënë nga fillimi. Sezoni shpëtohet vetëm nëse Prishtina del në Evropë. Çdo gjë tjetër, normalisht se është sezon i dështuar. Unë me këto dy ndeshje jam shumë optimist se lojtarët tani e kanë marrë shumë seriozisht punën dhe lojën. Nëse vazhdojmë kësisoj, Prishtina do të ketë të ardhme për vitin e ardhshëm”, ka thënë të shtunën trajneri Thaqi për KOHËN.
Thaqi vazhdoi me rezultate pozitive të shtunën pas fitores 4:0 në udhëtim te Suhareka, në ndeshjen e xhiros së 28-të.
Ardian Limani, që në fund u ndëshkua me karton të kuq, të dytin pas atij ndaj Dritës në mesjavë, regjistroi “hat-trick” në këtë ballafaqim (39’, 66’, 78’), kurse Ardian Muja i pati katër asistime. Me një gol tjetër në fitoren e thellë kontribuoi Dion Gallapeni (52’).
“Normal që ndonjëherë në futboll është edhe fati. Fati që na priu në ndeshjen me Dritën. Sot kishim përqendrim maksimal të lojtarëve. Jam i gëzuar që me Prishtinën bëra dy fitore. Shpresoj shumë që ta përsëris suksesin që e kisha në të kaluarën, me dhjetë fitore në 11 ndeshje. I uroj lojtarët për angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë gjithë lojës. Ishin të fokusuar maksimalisht. I falënderoj të gjithë edhe për pritjen”, është shprehur trajneri i “bardhekaltërve”.
Prishtina pas 28 xhirove ka 38 pikë, aq sa kanë edhe Gijlani dhe Ferizaj në vendin e pestë e të gjashtë. Gjilani e ka një ndeshje më pak të luajtur. Të dielën nga ora 15:00 në shtëpi përballet me Llapin. Në duelin tjetër luajnë Malisheva e Drita. Drita është lidere me 60 pikë, dhjetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë dhe me gjasa shumë të mira për ta fituar titullin e katërt në histori të klubit. Të fundit e fitoi në edicionin 2019-20.