Nga njëra anë lojtarët shqiptarë Qazim Laçi, Indrit Tuci, Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi. Nga ana tjetër Velko Birmançeviq, serbi i vetëm në skuadrën çeke, Sparta Praga. Pas mosmarrëveshjes që ka pasur Birmançeviq me drejtuesit e klubit, ka pasur raportime në mediat çeke se ka pasur konflikt edhe në dhomat e zhveshjeve mes lojtarit serb dhe futbollistëve shqiptarë.
Por trajneri i Sparta Pragës, danezi Lars Friis, të martën në konferencën për media para ndeshjes kundër Brestit në Ligën e Kampionëve, ka mohuar problemet e kombësisë në skuadër. Ndeshja në mes të Sparta Pragës dhe Brestit luhet të mërkurën nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së katërt të Championsit.
“Konflikt është fjalë shumë e madhe. Atmosfera në dhomën e zhveshjeve është e luhatshme, por ne nuk kemi konflikt. Ne i kemi vendosur letrat në tavolinë. Kur gjërat nxehen pak, gjë që ndodhi tani, atëherë sigurisht që prek të tjerët, kjo është e pashmangshme, por është pjesë e klubit dhe ne po merremi me të”, ka thënë Friis të martën.
Tifozët e Spartës të shtunën i dolën në përkrahje lojtarit serb të skuadrës, Velko Birmançeviq. Në grupin e tifozëve, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, janë shpalosur shumë flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës. Janë flamujt për të cilët UEFA i ndan shpesh dënime Federatës serbe.
Për mundësinë e problemeve edhe në të ardhmen mes lojtarëve shqiptarë dhe atij serb ka folur të martën edhe një ekspert nga Shoqata për Çështje Ndërkombëtare, Petr Çermak.
“Shumica e banorëve të Kosovës janë me etni shqiptare, kështu që mund të thuash se janë të njëjtë me ata që jetojnë në Shqipëri. Por ka një dallim të madh në planin politik, sepse Kosova është një shtet që ka një mosmarrëveshje të hapur me Serbinë. Pra, shqiptarët e Kosovës janë më radikalë në raportet e tyre ndaj serbëve dhe në të njëjtën kohë serbët do të jenë gjithmonë më radikalë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa marrëdhëniet mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe serbëve mund të jenë të ftohta, por korrekte, sepse edhe ato vende kanë marrëdhënie korrekte”, ka thënë Çermak për mediumin çek “Blesk”.
Pasi tifozët e Sparta Pragës publikuan flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës, sulmuesi i kësaj skuadre, Albion Rrahmani, ka bërë një postim në “Instagram”.
Në fakt, Rrahmani të dielën ka rishpërndarë një “story”, ku shihen tifozët e Kosovës në ndeshjen ndaj Qipros. Në atë ndeshje është shpalosur koreografia me flamurin shqiptar mbi hartën e Kosovës.
Por Çermak nuk e vlerëson provokim shpërndarjen e fotografisë nga Rrahmani.
“Në futbollin ballkanik është mjaft e zakonshme që lojtarët të shpalosin simbole kombëtare, edhe nëse është vetëm një garë klubesh. Kjo vlen jo vetëm për lojtarët nga Shqipëria, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, por, për shembull, për përfaqësuesit e Zvicrës, të cilët shpesh vijnë nga vendet e Ballkanit. Kjo shihet shpesh në futboll.
Sajti çek ka nxjerrë edhe një tabelë të lojtarëve që kanë lojtarë me rrënjë nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Sparta Praga, sipas sajtit çek, është klubi që ka më së shumti lojtarë të përzier të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë. Te Sparta Praga janë pesë. Dy nga Shqipëria, dy nga Kosova dhe një nga Serbia.
“Çekia ka përvojë me lojtarë nga Ballkani. Por të kesh pesë lojtarë nga përfaqësuese të ndryshme nga këto vende specifike në të njëjtën kohë, kjo mund të jetë një përzierje e vështirë për t’u menaxhuar për klubet çeke”, ka thënë Çermak.
Ai është përgjigjur edhe në shumë pyetje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve e po ashtu edhe thirrjet anti-Kosovë.
Në fakt, nuk është fshehtësi që tifozët e Sparta Pragës, si edhe shumë tifo-grupe të tjera në Çeki, Sllovaki, Rumani, Poloni, Greqi e Rusi, kanë qëndrim kudër Kosovës. Dhe këtë e shprehin shpesh duke shpalosur flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.