Derbi i zjarrtë i Gjilanit, Drita – Gjilani, luhet të shtunën nga ora 15:00.
Ndeshja i takon xhiros së tetë, ndërsa forma e të dyja skuadrave është e ndryshme.
Drita ka 12 pikë në pesë ndeshje dhe renditet e pesta, ndërsa Gjilani ka katër pikë më pak dhe zë vendin e shtatë.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë në konferencën për shtyp se derbit nuk luhen, por fitohen. “Pavarësisht se cila skuadër është, ne duhet të futemi për fitore, duhet ta japim maksimumin. Do të jetë derbi agresiv, luftarak. Derbi fitohet, derbi nuk luhet”, ka thënë ndër të tjera trajneri Ramadani. Ndërkohë, trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, beson në potencialin e skuadrës së tij. “E Kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë dhe shpresojmë të nxjerrim më të mirën nga ana ynë. Është ndeshje për të treguar karakter dhe personalitet”, ka theksuar Nuhiu.
Të shtunën, Prishtina e pret Feronikelin 74. Ndërkohë, të dielën zhvillohet derbi mes Llapit e Ballkanit, kurse Suhareka përballet me Malishevën. Të gjitha ndeshjet nisin në orën 15:00.