Futboll

Te Shqipëria, të gatshëm për fitoren e madhe

Shqiperia

Pasi e nisi kampanjën e katërt të Ligës së Kombeve me fitoren 2:1 në udhëtim ndaj Ukrainës në muajin shtator, sfida për vendin e parë në Grupi B1 për Shqipërinë mori kah tjetër. 

“Kuqezinjtë” pësuan disfata të njëpasnjëshme, nga Gjeorgjia dhe Çekia. Por fitorja 1:0 në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, falë golit të Kristjan Asllanit, muajin e kaluar, e ka hapur grupin sërish.

Me gjashtë pikë, një më pak se Çekia dhe dy më shumë se Ukraina e vendit të fundit, Shqipëria zë vendin e tretë në grup. Gjashtë pikë i ka edhe Gjeorgjia në vendin e dytë. 

Kështu, fati i “kuqezinjve” nuk do të dihet deri në mbylljen e këtij edicioni të Ligës së Kombeve, përkatësisht deri të martën mbrëma. Por shumë varet nga ndeshja e radhës. 

Shqipëria të shtunën nga ora 20:45 e pret Çekinë, e tri ditë më pas luan ndaj Ukrainës. 

Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në “Air Albania” në Tiranë. 

Përzgjedhësi Sylvinho dhe qendërmbrojtësi Arlind Ajeti mbështeten në përkrahjen e madhe të tifozëve. Synimi është i qartë, dy fitore dhe vendi i parë në grup. 

“Çekia është skuadra me të cilën ndoshta kemi luajtur më shumë në këto vite. Kemi fituar, barazuar e humbur me të, ndaj nesër mund të ndodhë gjithçka. Ka skuadër të fortë fizikisht. Këtë e kemi thënë prej kohësh. Trajneri i çekëve është shumë inteligjent, ka bërë 3-4 ndryshime, është ekip ndryshe. Ne duhet të bëjmë mirë lojën tonë, kemi cilësi teknike e organizim taktik. Por duhet të shkojmë në fushë me shumë zemër dhe shpirt, kjo mund ta bëjë diferencën”, është shprehur Sylvinho në konferencën për shtyp, të premten. 

Tekniku brazilian tutje shtoi se Shqipëria përballë do ta ketë një kundërshtare shumë të fortë, me të cilën është përballur katër herë prej vitit 2021. 

Çekia ka dy fitore, një fitore e ka Shqipëria, ndërsa një tjetër ndeshje është mbyllur baras. 

Sylvinho ka kërkuar nga lojtarët lojë pa gabime, për ta arritur një tjetër sukses. 

“Mund të bëjmë një nga ndeshjet më të mira të vitit të fundit. Nuk është momenti për t’u ankuar. Lojtarët janë në gjendje të mirë fizike. E kam thënë pas Evropianit se është periudhë e vështirë pasi kombëtaret kanë humbur lojtarë për shkak të lëndimeve. Edhe Çekia ka lojtarë të dëmtuar. Lojtarët nuk kanë pasur pushime për t’u rikuperuar, por unë jam i lumtur dhe kam besim tek ata që i kam. Ne do të futemi për të dhënë 100-përqindëshin tonë”, deklaroi Sylvinho. 

Përkrah Sylvinhos, të premten në konferencë ishte Arlind Ajeti, qendërmbrojtësi 31-vjeçar që aktivizohet te Bodrumspori në Superligën e Turqisë. 

Ajeti është futbollist që ka luajtur në dy Kampionate Evropiane dhe e ka përvojën e duhur për ndeshje të tilla.  

“Janë të gjitha të mundura në futboll. Unë besoj tek ekipi, te cilësitë e çdo lojtari dhe normalisht synojmë vendin e parë, të fitojmë dy ndeshjet e ta marrim vendin e parë. Sigurisht, çdo gjë është e mundur”, ka theksuar Ajeti. 

Ajeti ka tetë paraqitje me skuadrën në elitën e futbollit të Turqisë në këtë edicion. 

“Po, normalisht besojmë se mund t’ia dalim përsëri, edhe pse është ndeshje tjetër. Çdo ndeshje fillon nga 0:0. Ne kemi kualitete dhe cilësi për të marrë rezultat pozitiv. Shpresojmë t’ia dalim”, theksoi ai. 

Të gjitha përfaqësueset e Grupit B1 ishin pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian që në verë u organizua në Gjermani. 

Vetëm Gjeorgjia arriti ta kalojë fazën e grupeve. 

Shqipëria pati një barazim me Kroacinë, dhe dy humbje, nga Italia e Spanja. Përfundoi në vendin e fundit në grupin e vdekjes, në Evropianin e dytë të saj. 

“Kuqezinjtë” tani synim e kanë kualifikimin në Kampionatin Botëror që në vitin 2026 organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Por fillimisht synohet vendi i parë në grup e rrjedhimisht, kalimi në Ligën A të Ligës së Kombeve, që do të ishte sukses historik.