Një vit më parë, saktësisht më 12 shtator në Bukuresht, pati incidente në stadium kur Kosova luajti ndaj Rumanisë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Ndeshja u ndërpre për 50 minuta shkaku i pankartave anti-Kosovë dhe thirrjeve “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit të tifozëve “Uniti sub tricolor”. Por te Përfaqësuesja e Rumanisë presin të mos ketë incidente të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja Kosovë – Rumani luhet të premten dhe nis në ora 20:45.
Është ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
“Pres të mos ketë incidente, ne jemi sportistë dhe dimë të mbrojmë njëri-tjetrin. Ne kemi brenda vetes ADN-në e sportistit. Do të jetë një atmosferë e bukur, por ne jemi këtu për të luajtur futboll”, ka thënë selektori i Rumanisë, Mircea Lucescu.
Lucescu 79-vjeçar është legjendë e futbollit rumun.
Kthimi i tij në krye të Përfaqësueses është paraqitur me entuziazëm. Është kthim në krye të Përfaqësueses pas plot 38 vjetësh.
“Unë e di se për çfarë jam angazhuar dhe po përpiqemi të bëjmë gjënë e duhur. Koha është e shkurtër, disa bënë vetëm një stërvitje, të tjerët dy ose tri stërvitje. Kjo është situata. Ne punojmë shumë në aspektin mendor. Ne diskutojmë shumë gjëra që kemi vënë re. Por duhet diçka më shumë. Përpiqem t’i ndihmoj me këshillat e mia, me përvojën time”, ka theksuar Lucescu, i cili për herë të parë e kishte drejtuar Rumaninë si selektor nga viti 1981 e deri në vitin 1986.
Lucescu është shumë i motivuar për sfidën e re në karrierë. Ai vlerëson lojtarët e tij.
“Është një ekip me lojtarë të rinj, me një moshë mesatare 26 vjeç. Janë 10-11 lojtarë që janë rritur bashkë. Merita shkojnë edhe për trajnerët, të cilët e mbajtën kompakt këtë grup. Është një mision i vështirë, por unë iu afrova me shumë besim. U përshtata shumë shpejt. Edhe ata do të përshtaten, nuk kanë çfarë të bëjnë, duhet të përshtaten. Shpresoj të sillen në atë mënyrë që të mos e ndiejnë këtë diferencë moshe. Por shpirti im mbeti mjaft i ri”, ka theksuar ai.
Edhe kapiteni, Nicolae Stanciu, thotë se në Kosovë kanë ardhur për të luajtur futboll.
“Ne përpiqemi të lëmë anash ato që thuhet këtu, duke marrë parasysh atë që ndodhi në Bukuresht. Ne kemi ardhur të luajmë futboll, gjëra të tjera, nëse ndodhin, nuk është puna jonë”, është shprehur kapiteni Stanciu.
Kosova ndaj Rumanisë humbi në Bukuresht 2:0, kurse në Prishtinë ndeshja pati përfunduar pa gola. Për Rumaninë është ndeshja e parë që e zhvillon pas paraqitjes në evropianin “Gjermania 2024”.
Stanciu vlerëson lart futbollistët e Kosovës.
“E dimë që Kosova ka lojtarë shumë të mirë, që luajnë në kampionate të forta, ndërsa jemi takuar dy herë vitin e kaluar. Na pret një ndeshje e vështirë. Nuk është vetëm një lojtar i rrezikshëm. Duhet të kujdesemi për të gjithë lojtarët që i kanë në dispozicion. Ne duhet të jemi gati të luajmë një lojë të mirë kolektive dhe të marrim tri pikë”, ka thënë Stanciu.
Ai ka thënë se atmosfera është e mirë në Përfaqësuesen rumune të futbollit. Pas ndeshjes kundër Kosovës, Rumania të hënën luan kundër Lituanisë në Bukuresht.