Futboll

Te Qipro të dëshpëruar me humbjen e thellë nga Kosova

Temur Ketsbaia

Seleksionuesi i Qipros, Temur Ketsbaia, nuk ka mundur ta fshehë zhgënjimin pas humbjes së thellë 4:0 në shtëpi të hënën ndaj Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ketsbaia në konferencë për media ka thënë se është dëshmuar se lojtarët qipriotë nuk ishin të përgatitur të luanin dy ndeshje për tri ditë.

“Kjo na tregoi se nuk ishim gati që në një kohë kaq të shkurtër të luanim dy ndeshje. Ishim të lodhur, të mbaruar nga fillimi. Nuk mund të luash në atë mënyrë kundër asnjë ekipi, e lëre me kundër Kosovës që ka cilësi. Jemi shumë të zhgënjyer me rezultatin dhe paraqitjen që patëm. Kur i bën këto gabime, nuk i shpëton humbjes. Kemi probleme sidomos në këtë periudhë që tani po fillojnë kampionatet. Lojtarët dhanë gjithçka që kishin në ndeshjen e parë, nuk kemi qenë konkurrues ndaj Kosovës. Ne nuk ishim të freskët, nuk ishim ata që duhet të ishim. Shumë gjëra kanë faj, do të doja të ishte vetëm një”, tha Ketsbaia. 

Mesfushori  Giorgos Malekkidis po ashtu tha se është humbje dëshpëruese. 

“Jemi shumë të pikëlluar. Duhet të jemi shumë më të gatshëm herën tjetër. Mendoj se mund të kishim vrapuar më tepër sot. Do ta analizojmë ndeshjen me trajnerin. Duhet të japim shumë më tepër”, tha Malekkidis. 

E mesfushori tjetër Kostakis Artymatas ka thënë se s’mund të renditë gjërat që shkuan keq. 

"Në 20 minutat e para i dhamë mundësi kundërshtarit për të kaluar në avantazh. S’mund të rendis gjërat që shkuan keq. Ne do të përpiqemi të përmirësohemi”, tha Artymatas. 

Lexo përditësimet tjera
Kosova

Kosova shkatërron Qipron në Larnaca

Ndonëse pa Edon Zhegrovën, Aro Muriqin e Florent Muslijën dhe me shumë ndryshime të tjera në...