Ylli i Kosovës

Te Lille besojnë se Zhegrova është yll i Ligue 1

Edon Zhegrova

I zgjedhur së fundi lojtar i muajit mars, simboli i paraqitjeve të jashtëzakonshme gjatë gjithë edicionit, Edon Zhegrova ka ngritur shumë pyetje në studiot televizive franceze. A është lojtari i Lille yll i kampionatit francez?

Sajti i afërt me Lillen, “lepetitillois” ka kërkuar votat e tifozëve lidhur me këtë.

“Është e vështirë të dish nëse je vërtet i drejtë, por rezultati tregon shumë. Në sytë e tifozëve, Edon Zhegrova është pjesë e dukshme e çdo ndeshjeje të fundjavës. Nga më shumë se një mijë pjesëmarrës në anketë, 77%, ose 838 votues, thanë po: Edon Zhegrova është yll i kampionatit francez. 200 prej tyre besojnë që kosovari nuk është ende. Pra Zhegrova ka ende një pjesë të futbollit francez për ta bindur. Duhet të punojë akoma”, shkruan sajti i afërt me Lillen.

Sulmuesi i Kosovës, Zhegrova, të hënën u shpall lojtari i muajit mars nga mbështetësit e Lillet.

Është hera e dytë që Zhegrova shpallet lojtar i muajit për edicionin aktual, 2023/2024. Epitetin e më të mirit e fitoi edhe për muajin dhjetor.

Zhegrova ka treguar paraqitje të mira këtë edicion. Ka fituar zemrat e tifozëve të Lillet. Ai kishte ndeshje të madhe në derbin që Lille e fitoi 2:1 ndaj Lensit. Shënoi dy golat e fitores dhe ishte i pandalshëm në fushë.

Në 40 paraqitje në të gjitha garat e edicionit aktual, Zhegrova ka 11 gola e nëntë asistime. 25-vjeçari është një prej lojtarëve më të kërkuar shqiptarë nga klubet evropiane. Së fundi është raportuar se për Zhegrovën interesim ka shprehur Juventusi.