Futboll

Te Lensi nuk kanë plan special për ta ndalur Zhegrovën

Edon Zhegrova

Sulmuesi kosovar i Lillet, Edon Zhegrova, ka treguar edhe një herë cilësitë e tij të mërkurën mbrëmje. Lojtari i Lilles shfaqi aftësinë e tij të jashtëzakonshme duke ndihmuar me supergol për fitoren e madhe të Lillet ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Lille fitoi me rezultatin 3:1, ndërsa ishte paraqitja e tij e dytë e mirë në Madrid pas fitores 1:0 ndaj Real Madridit në xhiron e dytë. Zhegrova në atë ndeshje u shpall më i miri.

Por te skuadra e Lensit nuk kanë plan special për ta ndalur Zhegrovën.

Trajneri i Lensit, Will Still, të enjten u paraqit në konferencë para ndeshjes kundër Lillet në “Derbin e Veriut”.

Ndeshja derbi në mes të Lensit dhe Lillet luhet të shtunën dhe i takon javës së nëntë të Ligue 1 të Francës.

“Nuk kemi asgjë specifike për ta, Zhegrovën dhe Davidin, sepse nuk përgatitemi për një apo dy lojtarë. Ka raste kur lojtarëve u jepen informacione, por nuk ka diçka për t’u specifikuar. Është gjithë ekipi i Lillet që është i mirë dhe ne duhet t’i ndalim si ekip e më pas edhe individualisht. Nuk duhet të shqetësoheni shumë për këtë”, ka thënë Still.

Lille dhe Lensi kanë nga 14 pikë nga tetë ndeshje të zhvilluara në elitën e futbollit francez.

Derbin kundër Lensit e ka komentuar edhe trajneri i Lillet, Bruno Genesio. Por ai nuk u ka shpëtuar edhe pyetjeve për fitoren e madhe ndaj Atletico Madridit.

Zhegrova u vlerësua prej më të mirëve te Lille. Sulmuesi i Kosovës nuk e nisi ndeshjen. Por atij iu dha shpejt rasti për t’u paraqitur në fushë. U inkuadrua në minutën e 16-të, ndërsa në minutën e 61-të Zhegrova shënoi supergol nga distanca për 1:1. Goli i Zhegrovës u vlerësua në Francë si vendimtar për rrugën  për fitoren ndaj Atleticos.

Edhe trajneri Genesio la të kuptohet se inkuadrimi i Zhegrovës pati ndikim pozitiv në lojën e Lillet.

“Lojtarët që hynë në lojë janë mësuar me këtë nivel të ndeshjeve. Kanë shumë përvojë dhe të gjithë kanë qenë vendimtarë. Kjo tregon se kam një grup konkurrues si në gjendjen shpirtërore ashtu edhe në cilësi”, ka thënë Genesio për mediumet franceze .

Zhegrova po shfaq formë të mirë që nga sezoni i kaluar dhe sot pozicionohet si një lojtar i klasit të lartë.

Sulmuesi i Kosovës për edicionin e kaluar ishte në mesin e pesë futbollistëve të nominuar për lojtarin më të mirë në Francë nga Unioni Kombëtar i Futbollistëve Profesionistë (UNFP). Zhegrova nuk fitoi garën shumë të fortë për lojtarin më të mirë të vitit. Por për Zhegrovën ishte  e arritur e madhe përfshirja në mesin e pesë lojtarëve më të mirë në Ligue 1 të Francës për edicionin e kaluar.