Futboll

Te Kosova të bindur se mund ta mposhtin Rumaninë

Kosova

Albion Rrahmani njihet shumë në Rumani. Se e njohin njerëzit e futbollit as që diskutohet. Sulmuesi 24-vjeçar ishte një nga lojtarët më të përfolur në Rumani gjatë periudhës njëvjeçare te Rapid Bukureshti. Emri i tij përmendej gati çdo ditë nga mediumet rumune, për shkak të formës që shfaqi te skuadra nga Bukureshti.

Ai tani ka mundësi ta tregojë veten kundër rumunëve, nëse selektori i Kosovës, Franco Foda, ia jep mundësinë të paraqitet në fushë, të premten.

Ndeshjen kundër Rumanisë, Kosova e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kombeve, ndërsa Rrahmani thotë se motivi është i madh për fitore. Ai pritet të ketë minuta ndaj rumunëve.

“Atmosfera është shumë e mirë. Jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë mirë i gjithë grupi. Jemi të fokusuar 100 për qind për ndeshjen hapëse të këtij cikli të ri të Ligës së Kombeve dhe jemi të gatshëm ta japim 100-përqindëshin dhe t’i marrim tri pikët e para”, ka thënë Rrahmani të martën për sajtin zyrtar të FFK-së.

Rrahmani u transferua te skuadra çeke Sparta Praga nga Rapidi i Bukureshtit pak javë më parë. Ai është bërë transferimi më i shtrenjtë në histori të Spartës.

Sulmuesi ka nisur të arsyetojë çmimin që ekipi çek e pagoi për të. Rrahmani është i lumtur që ka ndihmuar klubin çek t’i fitojë dy ndeshjet në të cilat është paraqitur në fushë. Ai ka shënuar gol në fitoren ndaj Malmos në plejofin e Ligës së Kampionëve, ndërsa pati një gol e një asistim në fitoren 2:0 në kampionatin e Çekisë ndaj Hradec Kralove.

Rrahmani shpreson ta ndihmojë edhe Kosovën në dy ndeshjet e shtatorit.

“Po shpresoj që së pari të më jepet mundësia dhe pastaj do ta jap maksimumin që ta tregoj veten. Jam në një moment shumë të mirë me klubin e ri dhe shpresoj ta kem atë moment edhe në Kombëtare”, është shprehur sulmuesi i njohur edhe si “Lewa”. Te Sparta po ndihet shumë mirë.

“Më kanë pritur shumë mirë, duke ditur se jam edhe transferimi më i shtrenjtë i klubit dhe qysh në dy ndeshjet e para kam shënuar dhe kam bërë asistim. Po shpresoj të mos ndalem e ta ndihmoj ekipin që ta fitojë edhe titullin që është synim i yni”.

Kosova i ka nisur të hënën përgatitjet. Rrahmani ishte i pranishëm në të dyja stërvitjet. Ai pret përkrahje të fuqishme nga tribunat. Tashmë janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Rumanisë.

“I presim të gjithë të vijnë e të na përkrahin, sepse së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha, ata në tribuna e ne e bëjmë punën tonë në fushë. Forca Dardanët”, ka thënë Rrahmani.

Sipas FFK-së, stërvitja e së martës u karakterizua nga një intensitet i lartë “me përzgjedhësin Franco Foda që u fokusua në aspektin taktik dhe transicionin e ekipit, për ta përgatitur strategjinë e lojës që ka planifikuar për sfidën e madhe ndaj rumunëve”.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova ka stërvitur i ndarë nga grupi, ndërsa pjesë e stërvitjes ishte futbollisti i Përfaqësueses U21, Andi Hoti.

Edhe mesfushori Donat Rrudhani ka vlerësuar atmosferën në ekip. Rrudhani i skuadrës zvicerane, Lausanne,  mungoi në stërvitjen e parë për shkak se kishte ndeshje të dielën.

25-vjeçari pret fitore ndaj rumunëve.

Rumania vlerësohet favorite e grupit ku janë edhe Qiproja e Lituania.

“Besoj që mund të presim vetëm fitore. Ne të gjithë jemi të bindur se do ta fitojmë ndeshjen me Rumaninë. E dimë sa çfarë ka ndodhur në ndeshjen e fundit dhe kjo do të thotë se e kemi një motiv shtesë, prandaj besoj se do të fitojmë”, ka thënë Rrudhani.

Ai beson se tifozëria në “Fadil Vokrri” do të jetë lojtari i 12-të për Kosovën.

“Shumë faleminderit për mbështetjen! Si gjithmonë, edhe në humbje, edhe në fitore janë gjithmonë prezentë dhe kjo është një krenari shumë e madhe për ne”, tha Rrudhani.

Më 9 shtator Kosova në Larnaca e luan ndeshjen kundër Qipros. Me Lituaninë ndeshjen e parë e luan muajin tjetër.