“Rumani, turp për ju dhe mënyrën e të menduarit”. Kështu kishte reaguar mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Mërgim Vojvoda, pas ndeshjes të cilën Kosova e humbi me rezultatin 2:0 nga Rumania më 12 shtator të vitit të kaluar në Bukuresht.
Vojvoda kishte reaguar për pankartat anti-Kosovë dhe thirrjeve “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit “Uniti sub tricolor”. Pankartat dhe thirrjet anti-Kosovë bënë që ndeshja të ndërpritej për 50 minuta.
Imazhet nga ndeshja në Bukuresht janë ende në kujtesë të Vojvodës dhe lojtarëve tjerë të Kosovës.
Kundër rumunëve, futbollistët e Kosovës do të kenë tjetër përballje. Të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova e Rumania e zhvillojnë ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Ndeshja e cila nis nga ora 20:45, i takon Grupit 2 të Ligës C, të Ligës së Kombeve të UEFA-së.
Te Kosova thonë se ka ardhur koha për revansh në fushë.
“Atmosfera është shumë e mirë. Çdo lojtar është duke u ndjerë mirë. Jemi të gjithë në formë të mirë dhe presim të kemi një lojë të mirë. Edhe pse kundërshtari është një prej rivalëve më të fortë, por ne do të hyjmë në fushë për t’i marrë tri pikë. Presim fitore, besoj se këtu në Fadil Vokrri duhet të presim vetëm fitore para tifozëve tanë”, ka thënë Vojvoda për Federatën e Futbollit të Kosovës.
FFK-ja ka njoftuar se stërvitja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” ka pasur për fokus anën taktike si dhe zbatimin e ideve të selektorit, Franco Foda.
Kosova edhe të enjten do të stërvitet në stadiumin e qytetit të Prishtinës, ku të premten do ta zhvillojnë ndeshjen ndaj rumunëve.
Vojovda pret mbështetjen e tifozëve për ta nisur mbarë edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
“Na kanë munguar shumë. Shpresojmë që stadiumi të jetë i mbushur dhe i zjarrtë siç ka qenë gjithmonë sepse kemi nevojë për lojtarin e 12-të”, është shprehur Vojvoda.
Në ndeshjen kundër rumunëve në Bukuresht i pranishëm në fushë ishte edhe mbrojtësi tjetër i krahut, Florent Hadërgjonaj. Hadërgjonaj ishte inkuadruar në lojë nga minuta e 54-t në ndeshjen që përfundoi me fitore të rumunëve.
Hadërgjonaj fillimisht foli për përgatitjet që i kanë bërë gjatë grumbullimit në Prishtinë për ndeshjen kundër rumunëve. Ai ka vlerësuar lart përgatitjet, ndërsa thotë se synojnë fitore përballë rumunëve.
“Kemi pasur stërvitje të mira, sidomos në aspektin taktik jemi përgatitur mjaft mirë. Kemi marrë informata për kundërshtarin nga trajneri dhe stafi i tij. E dimë se çka na pret dhe sigurisht që në këtë ndeshje do të futemi për fitore”, ka thënë Hadërgjonaj.
Ai më pas është ndalur të flasë për ndeshjen e zhvilluar në Bukuresht. Ai thotë se Kosova synon revansh ndaj rumunëve.
“Nuk kemi kaluar siç duhet në ndeshjen kur kemi luajtur në Rumani. Kanë ndodhur disa gjëra që nuk guxojnë të ndodhin në këtë kohë që jemi, por kanë ndodhur dhe normal që ajo situatë duhet të na shërbej si motiv për t’ua kthyer, atyre dhe tifozëve për pritjen jo të mirë. Duhet të na motivojë, pasi e humbëm atje ndeshjen dhe duhet t’ua kthejmë dhe t’i marrim pikët e plota, ashtu siç kanë bërë edhe ata në Bukuresht”, ka theksuar Hadërgjonaj.
Me Rumaninë në Prishtinë, Kosova kishte luajtur edhe më 16 qershor të vitit të kaluar. Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” kishte përfunduar 0:0. Edhe në “Fadil Vokrri” një grup prej rreth 40 huliganësh bënë thirrje si “Kosova është Serbi”.
Nuk pritet të ketë tifozë rumunë të premten. Por Hadërgjonaj pret kontributin e tifozëve të Kosovës për ndeshjen ndaj Rumanisë. Tashmë janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Rumanisë.
“Janë shitur të gjitha biletat dhe kjo tregon shumë. Është diçka që na jep zemër neve dhe na motivon, ashtu siç ka ndodhur gjithnjë kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’. Shpresoj të na motivojë atmosfera. Tifozët janë gjithmonë pas nesh. Neve na mbetet ta kryejmë detyrën tonë në fushë, ndërsa presim që edhe tifozët ta japin kontributin e vet nga tribunat”, ka thënë Hadërgjonaj.
Stërvitjen e fundit para ndeshjes me rumunët, “Dardanët” do ta zhvillojnë, të enjten, nga ora 17:30.
Më 9 shtator Kosova në Larnaca e luan ndeshjen kundër Qipros.