Futboll

Te Gjilani thonë se kanë planin si ta mposhtin kampionin

Lojtari i Gjilanit

Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, pranon forcën e Ballkanit. Por tekniku shkupjan thotë se e kanë planin se si ta mposhtin kampionin në fuqi të Kosovës në futboll.

Gjilani është mysafir i Ballkanit në Suharekë. Ndeshja i takon javës së 11-të të Superligës, ndërsa zhvillohet të martën nga ora 13:00.

“Ballkani është ndër më të mirët në kampionat. E ka dëshmuar 3-4 vjetët e fundit që ka dominuar kampionatin. Është analizuar si skuadër dhe është skuadër që rigrupohet shpejt dhe mbrohet shumë mirë. Po ashtu ka një sulm të shpejtë. Në aspektin individual, suharekasit kanë futbollistë shumë cilësorë, por për të gjitha këto bashkë me stafin kemi përgatitur një plan. Për aq kohë sa kemi pasur, jemi munduar t’i informojmë lojtarët në mënyrën se si luan kundërshtari ynë. Përqendrimi maksimal do të jetë te skuadra ime, të cilën me padurim pres ta shoh se si do ta menaxhoj ndeshjen. Besimi është i madh. Ne duhet të tregojmë këmbëngulësi dhe vendosmëri për të dalë nga ky takim shumë mirë, pasi është e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit”, ka thënë Nuhiu në konferencë për media.

Gjilani në fundjavë mposhti Llapin, kurse Ballkani luajti pa gola kundër Dukagjinit.

Te kampioni i Kosovës, Ballkani, vlerësojnë Gjilanin.

Mbrojtësi me përvojë në futbollin e Kosovës, Arbër Potoku, thotë se Ballkani synon pikët maksimale ndaj ekipit gjilanas.

“Kundërshtari i radhës është Gjilani dhe ne e vlerësojmë. Gjilani ka një ekip mjaft cilësor dhe një trajner mjaft cilësor, edhe pse ndoshta gjërat nuk kanë shkuar siç ata kanë menduar. Ne luajmë në shtëpi dhe synimet tona janë të qarta. Kemi pasur vetëm një ditë kohë për të përgatitur ndeshjen dhe shpresojmë që të arrijmë objektivin, por gjithnjë duke e vlerësuar kundërshtarin”, ka thënë Potoku për KOHËN.

Ballkani është lider me 18 pikë, sa i ka edhe Malisheva në pozitën e dytë. Gjilani renditet i teti me 12 pikë.

Derbi tjetër i javës së 11-të luhet të enjten. Në Gjilan takohen Drita e Prishtina. Të enjten luhet edhe takimi Ferizaj – Malisheva, kurse të mërkurën janë ndeshjet Dukagjini – Suhareka dhe Llapi – Feronikeli 74.


Superliga – XI

E martë (13:00)
Ballkani – Gjilani

E mërkurë (13:00)
Dukagjini – Suhareka
Llapi – Feronikeli 74

E enjte (13:00)
Ferizaj – Malisheva
Drita – Prishtina

1. Ballkani    10    5    3    2    14:6    18
2. Malisheva    10    5    3    2    16:12    18
3. Prishtina    9    5    1    3    16:9    16
4. Suhareka    9    5    1    3    12:11    16
5. Drita    8    4    3    1    9:4    15
6. Llapi    10    4    2    4    11:8    14
7. Ferizaj    10    4    1    5    10:16    13
8. Gjilani    10    3    3    4    14:14    12
9. Dukagjini    10    3    1    6    8:16    10
10. Feronikeli 74    10    0    2    8    3:17    2