Një vit mund të bëjë ndryshim të madh.
Dymbëdhjetë muaj më parë, Gjermania ishte në seri katastrofale të rezultateve dhe pritej të dëshpëronte kur do ta organizonte Evropianin 2024. Tani Gjermania është kthyer në mesin e përfaqësueseve më të mëdha në Evropë dhe ka synime për Kupën e Botës që mbahet në vitin 2026 në SHBA, Kanada e Meksikë.
Gjermania e përfundon vitin 2024 me dhjetë fitore nga 15 ndeshje. Në vitin 2023 kishte vetëm tri fitore e gjashtë humbje.
Humbja e vetme e Gjermanisë këtë vit ishte në ndeshjen më të rëndësishme – ndaj Spanjës në kohën shtesë në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Është një humbje që ende dhemb shumë.
Reagimi i ashpër i selektorit Julian Nagelsmann në penalltinë e dhënë të martën mbrëma, që i mundësoi Hungarisë të barazojë 1:1 në minutën e 99-të të ndeshjes së Ligës së Kombeve, ishte për të pyetur arbitrin nëse ka parë humbjen e Gjermanisë nga Spanja në Evropian.
Marc Cucurella luajti me dorë në zonë në atë ndeshje, por arbitri nuk dha penallti për Gjermaninë. Spanja më pas shënoi gol dhe fitoi. Ndërkohë e fitoi Evropianin.
UEFA ka pranuar më pas se vendimi për të mos e dhënë penalltinë për Gjermaninë ishte gabim.
Në përgjithësi ishte një vit i suksesshëm për lojtarët e rinj të Gjermanisë, Florian Wirtz e Jamal Musiala. Kjo dyshe, që tashmë njihet si “Wusiala” pritet të shkëlqejë në Kupën e Botës në vitin 2026. Wirtzi i shënoi gjashtë gola për Gjermaninë këtë vit, sa edhe Kai Havertz. Musiala shtoi pesë të tjerë.
“Në moshën e tyre, ata tashmë janë lojtarë të klasit botëror”, ka thënë Joachim Low, që drejtoi Gjermaninë drejt titullit të botës në vitin 2014.
Në vitin 2021, Low ishte trajneri i parë që ftoi Musialan dhe Wirtzin te Gjermania, kur ata ishin 18 e 17-vjeçarë. Ai është i impresionuar se si këta dy lojtarë ishin vendimtarë në projektin e Nagelsmannit.
“Të dy janë shumë kreativë, të fortë në lojën një kundër një. Të dy shënojnë gola dhe kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në përfaqësuesen tonë në dy vjetët e fundit”, ka thënë Low.
“Ne vërtet nuk mund ta imagjinojmë më ekipin tonë përfaqësuese pa këta dy. Ata i japin formë lojës sonë”.
Yjet si Manuel Neuer, Toni Kroos, Ilkay Gundogan e Thomas Muller i kanë dhënë fund karrierës me Gjermaninë pas Evropianit 2024. Kjo nuk duket se ka goditur Gjermaninë sa i takon cilësisë.
Megjithatë ende ka pyetje se sa e madhe apo sa përmbajtësore është rritja e Gjermanisë si ekip.
Grupi në Ligën e Kombeve, ku ishin Holanda, Hungaria e Bosnjë-Hercegovina, solli disa fitore të thella të Gjermanisë, si ajo 7:0 ndaj Bosnjës javën e kaluar. Por nuk ishte grupi më i fortë i mundshëm.
Marc-Andre ter Stegen është portieri i parë i Gjermanisë pas largimit të Neuerit, por ai do të mungojë gjatë pas lëndimit të rëndë të gjurit. Zgjedhja e parë e Nagelsmannit për sulmin, Niclas Fullkrug i West Hamit, nuk ka luajtur nga shtatori për shkak të një lëndimi. Ai do të jetë 33-vjeçar kur Kupa e Botës të zhvillohet.
Para kualifikimeve të Kupës së Botës 2026, Gjermania do të ketë test serioz në plejofin e Ligës së Kombeve, gjatë muajit mars të vitit të ardhshëm. Kundërshtarin e çerekfinales do ta mësojë të premten. Kartoni i verdhë në ndeshjen e së martës nënkupton që Wirtzi i Bayer Leverkusenit do të mungojë në ndeshjen e parë çerekfinale.