Drejtori sportiv i Borussia Dortmundit, Sebastian Kehl, ka thënë se është krenar me paraqitjen e ekipit në pjesën e parë të finales së Championsit. Skuadra gjermane dominoi në pjesën e parë, por pa konkretizuar. Në pjesën e dytë Real Madridi shënoi dy gola për fitoren 2:0 dhe për triumfin e 15-të evropian.
Rastet e Dortmundit në pjesën e parë ishin shumë të mira, por topi nuk përfundoi në rrjetë. Dani Cavajal dhe Vinicius Jr ndërkohë i shfrytëzuan rastet për festën e madrilenëve.
Dortmundi përfundoi i pesti në Bundesligë, ndërsa luajti në finale të Championsit për herë të parë që nga viti 2013. Trofeun e vetëm në Champions e ka fituar në vitin 1997.
“Mendoj se kemi luajtur ndeshje të madhe. Sidomos në pjesën e parë paraqitja ishte gati e përkryer”, ka thënë Kehl.
“Do të ishte perfekte nëse do të realizonim. Mendoj se kjo është ana negative, që nuk shfrytëzuam rastet tona. Në fund e pamë se sa fort mund të luaj Real Madridi në finale dhe se si mund të përfitoi nga pozitat standarde. Madridi ishte në gjendje ta kthejë ndeshjen. Por ne ishim shumë afër dhe do të ishte e merituar. Por ne sërish mund të jemi krenarë me atë që kemi arritur”, ka shtuar Kehl.
Në vitin e kaluar Dortmundi mbeti pa titull në Gjermani në xhiron e fundit të kampionatit. Humbi garën nga Bayerni. Ka tri edicione që Dortmundi mbetet pa trofe, ndonëse afrohet shumë pranë.
Mbrojtësi Nico Schlotterbeck ka thënë se i vie keq për tifozët e Dortmundit.
“Dhemb duke ditur që kemi luajtur shumë mirë dhe kthehemi në shtëpi me humbje 2:0. Është brutale, por në futboll jo çdo herë ekipi më i mirë fiton. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm. Ata kanë bërë shfaqje të jashtëzakonshme këtu dhe në Dortmund. Ata vuajtën vitin e kaluar dhe sërish tani”, ka theksuar Schlotterbeck.
Edhe trajneri Edin Terziq ka theksuar se skuadra ka merituar më shumë se një humbje 2:0.
“Që nga fillimi i kemi treguar gjithë botës që nuk jemi këtu vetëm për të luajtur finalen, por për ta fituar atë. Kemi bërë shumë gjëra si duhet, por ata ishin të qetë në momentin e duhur. Kjo na ka munguar neve”, ka thënë Terziq.
“Kemi luajtur ndeshje fantastike dhe ishim shumë pranë që të kalojmë në avantazh. Por më pas ndeshja mori kahe tjetër dhe Madridi tregoi pse është kampion në këtë garë. Kemi pasur shanse të mira në pjesën e parë, si Madridi në të dytën, por nuk i kemi shfrytëzuar”, ka shtuar trajneri i skuadrës gjermane.
Terziq ka theksuar se një goditje dënimi bëri ndryshimin. Ka thënë se Dortmundi duhet të mësoi nga finalja.
“Ne kemi luajtur mirë, ishim të rrezikshëm në kundërsulme. Por nuk kemi shënuar. Ky ishte dallimi i finales”, ka thënë Terziq.