Ballkani ka arritur shumëçka brenda pak vjetësh që nga riorganizimi. Të shtunën festoi titullin e tretë rresht të kampionit të Kosovës në futboll. Kjo nuk është e tëra.
Ekipi suharekas dy herë ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, sukses ky historik për futbollin kosovar. Por Ballkanit i mungon diçka. I mungon trofeu i Kupës së Kosovës.
Mundësinë për ta fituar atë Ballkani e ka të mërkurën. Ballkani dhe Prishtina do të përballen në finale të Kupës së Kosovës. Ndeshja luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 15:00.
“Natyrshëm që Kupa është qershia mbi tortë. Por ende nuk e di pse u fut finalja e Kupës, një ndeshje pa përfunduar kampionati. Për ne si Ballkan do të ishte mirë të luanim pas përfundimit, pasi të kishim edhe ne kohë të përgatiteshim. Prishtina ka rreth një muaj që nuk i ka pasur objektivat as për më lartë dhe as më poshtë dhe nuk jemi në kushte të barabarta, pasi ne kemi pasur vetëm një ditë në dispozicion për t’u përgatitur. Na duhet të mbledhim forcat që edhe këtë trofe, që është i rëndësishëm, ta sjellim në Suharekë, ndonëse e dimë se kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Prishtinës”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, të martën për KOHËN.
Daja ka numëruar shumë lojtarë që i vlerëson më meritorët për sukseset e Ballkanit. Ai i vlerëson bartës të suksesit të Ballkanit dy kapitenët, Edvin Kuç dhe Armend Thaqi si dhe lojtarët si Bajram Jashanica, Lumbardh Dellova, Nazmi Gripshi. Por përmend edhe Meriton Korenicën dhe Lindon Emërllahun. Nuk përjashton edhe lojtarët tjerë që po ashtu thotë se kanë pasur ndikimin e tyre.
“E gjithë merita shkon edhe për presidentin Arsim Kabashi për investimet që ka bërë në cilësi dhe në njerëz të mrekullueshëm që janë lojtarët që unë drejtoj, pastaj për lojtarët që janë kryesorët dhe në fund jemi ne, unë bashkë me stafin që kemi mbajtur këtë ngarkesë dhe kemi ditur të menaxhojmë numrin e madh të ndeshjeve, lëndimeve dhe largimeve”, është shprehur Daja.
Tekniku tiranas ka merita të mëdha për rritjen e Ballkanit si klub. Thotë se Ballkani tani prezanton edhe Kosovën e jo vetëm Suharekën.
“Ne jemi një ekip nga një qytet i vogël, por me njerëz me zemër të madhe. Përshëndes secilin sportdashës të Suharekës. Na vjen mirë që kemi kontribuar që qyteti i Suharekës të njihet edhe më shumë në sferën e futbollit. Për këtë jemi krenarë. Ne jemi bërë një Ballkan i madh me mundësitë që kemi”.
Daja është trajneri i vetëm që dy skuadra shqiptare i udhëhoqi drejt kualifikimit në fazën e grupeve të garave të UEFA-s. Ai thekson se duhet shumë punë për të siguruar paraqitjen në Ligën e Evropës dhe Ligën e Kampionëve.
“Nuk jam nga ata trajnerë që fluturoj, sepse për të pretenduar nivele më të larta duhet të ndryshohen shumë gjëra, që nga infrastruktura e hapësirës për stërvitje, stadiume, rritje të nivelit të kampionatit, që mendoj se ka bërë hapa para, por është ende larg për të pretenduar grupet e Ligës së Kampionëve apo Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës. Mund të kemi dinamikë tjetër të situatës, pasi tashmë lojtarët e Balkanit janë të kërkuar nga shumë klube dhe do të ketë lojtarë në dalje. Duhet fillimisht të kalojmë raundin e parë të kualifikimeve të Championsit, sepse është e vështirë të luash në kualifikimet e Ligës së Kampionëve”, thotë Daja.
Ai është i kënaqur me arritjet e deritashme.
“Futbolli nuk është shkencë ekzakte, por për të parashikuar se ku do të shkojmë duhet të jemi aktiv në afatin kalimtar të verës, për të plotësuar vendet që do të jenë bosh nga lojtarë që do të largohen nga Ballkani për të vazhduar në një kampionat më të mirë se Kosova. Për të vazhduar këtë rrugëtim nuk na duhet sasi, por lojtarë që i përgjigjen kërkesave të Ballkanit”, ka thënë Daja.
Krahas sukseseve, Ballkani ka arritur të shes lojtarë. Pritet që edhe gjatë verës të shesë ndonjë tjetër. Por fokusi fillimisht është në garën e Kupës. Dhe, normalisht synimi është fitorja në finale ndaj Prishtinës.