Futboll

Taulanti shpreson të jetë përkrah Granitit – tani si trajner

Taulant dhe Granit Xhaka

Ka qenë ëndërr e madhe e Taulant Xhakës viteve të fundit të luajë sërish bashkë me vëllain e tij Granitin në Basel. Por që nga e mërkura tashmë gjërat janë të qarta. Ribashkimi i vëllezërve nuk do të ndodhë. Të paktën jo brenda fushës. 33-vjeçari njoftoi se në verë do t’i japë fund karrierës si futbollist.

“Sigurisht që jam i mërzitur që nuk do të realizohet. Ishte një nga qëllimet e mia. Por tani jam i lumtur të filloj një kapitull tjetër. Po marr licencën e trajnerit dhe ndoshta unë dhe Graniti do të punojmë bashkë si trajnerë një ditë”, ka thënë Taulant Xhaka të enjten në konferencën lamtumirëse.

Xhaka ka thënë se tërheqja nga Baseli ishte vendim i tij.

“Me kalimin e moshës, ndien dhimbje më shumë”, është shprehur ai.

Edhe pse ai do të kishte dashur të kishte më shumë minutazhë, nuk ishte problemi.

“isha atje për ekipin dhe qëndrova shumë pozitiv”, thotë ai.

Xhaka insiston se nuk e shtyu askush nga Baseli të marrë vendimin për t’u pensionuar.

“Kam menduar për këtë vendim për një kohë të gjatë. Kam folur për këtë edhe me gruan time. Dje ishte një ditë emocionuese”.

Ai ka marrë mesazhe të shumta pas lajmit për pensionim nga futbolli. “Askush nuk dinte asgjë, vetëm familja ime ishte në dijeni”, tha Xhaka.

Ai shpjegon pse ishte momenti i duhur për t’u pensionuar në fund të edicionit aktual.

“Kam një ndjenjë të mirë që mund të arrijmë diçka këtë sezon. Do të ishte ëndrra ime ta mbyllim me trofe sezonin. Vitin e ardhshëm ne mund të luftojmë përsëri për mbijetesë dhe unë nuk e dua këtë”, është shprehur Xhaka.

Xhaka iu bashkua të rinjve të Baselit në vitin 2003, në moshën 12-vjeçare. Ai debutoi me ekipin e seniorëve në vitin 2010.

Në total ka zhvilluar 406 ndeshje për Baselin. Ka kontribuuar me nëntë gola të realizuar e 30 asistime.

Për një vit e gjysmë karrierë ka bërë si i huazuar te Grasshopperi. Me Grasshopperin e ka fituar Kupën e Zvicrës

Në nivel përfaqësuesesh, Taulanti luajti për grupmoshat e Zvicrës nga U17 deri në U21, për t’iu bashkuar më pas Shqipërisë A. Me “kuqezinjtë” ka zhvilluar 30 ndeshje dhe e pati një gol të realizuar.

Drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki, thekson se synimi kryesor i Baselit mbetet titulli.

“Por për Taulantin do të doja të mbyllet sezoni me titull ose me triumf për Kupë”, ka thënë Stucki.

Për Xhakën do të ishte titulli i shtatë apo Kupa e katërt me Baselin.

Që nga vera, përveç licencës së trajnerit, ai do t’i përkushtohet edhe familjes. Shtëpia e tij e re do të përfundojë pikërisht në kohën kur ai do të dalë në pension. Dhe ai do të mbetet në Basel.

Por para se të tërhiqet, Xhaka ka thënë se do të dëshironte të luante edhe 34 minuta, simbol i numrit që mban në fanellë.

“Është dëshirë e imja të luajë edhe 34 minuta të tjera. Por kjo varet nga trajneri. Nuk jam ende në pension dhe po stërvitem fort. Unë patjetër dua të bëhem me Baselin kampion dhe fitues i Kupës”, ka thënë Xhaka.

Numrin 34 në fanellë te Bayer Leverkuseni e mban edhe Graniti, vëllai i vogël i Taultantit. Granit Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe mban rekordin për ndeshje të zhvilluara me helvetikët.