Futboll

Taulant Xhaka paralajmëron kthimin e Granitit te Baseli

Granit Xhaka

Granit Xhaka

Kthimi i Xherdan Shaqirit te Baseli bëri bujë. Por, në vitet e ardhshme te klubi zviceran mund të kthehet edhe mesfushori i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka.

Mundësinë e kthimit të kapitenit të Zvicrës te Baseli e ka përmendur vëllai i tij i madh, Taulanti, të premten, në një intervistë për “Blick”.

Në intervistë lojtari aktual i Baselit ka folur për gjëra të shumta.

Fillimisht Taulant Xhaka është pyetur nëse është kapiten i Baselit.

“Nëse luaj nga fillimi jam unë. Nëse nuk luaj, është Dominik Schmid. Xherdan Shaqiri është po ashtu pjesë e ekipit të kapitenëve”, ka thënë ish-reprezentuesi i Shqipërisë.

Javën e kaluar Shaqiri mbajti shiritin e kapitenit edhe kur Taulant Xhaka hyri në fushë.

“Natyrisht, unë u aktivizova vonë. Nuk do të shkoj te Shaqiri dhe ta pyes për shirit. Ne të gjithë i dimë rolet që i kemi në ekip dhe nuk është shumë e rëndësishme kush e mban shiritin”.

33-vjeçari nuk po luan shumë për Baselin. Por mesfushori ka theksuar se është gati kur trajneri i kërkon të aktivizohet. Ai dëshiron të ndihmojë lojtarët më të rinj dhe të shijojë kohën që i ka mbetur te Baseli. Taulanti po ashtu dëshiron të luajë, por thotë se nuk ka arsye për brengosje për minutat në fushë dhe për të sjellë negativitet në zhveshtore.

Xhaka thotë se nuk ka pranuar ndonjë sinjal nga drejtuesit e Baselit se është i tepërt në skuadër. Përkundrazi, ndien që klubi e çmon.

Dëshirë e Taulant Xhakës është që të fitojë tjetër titull të Zvicrës me Baselin para se të largohet. Thotë se për Baselin është shumë e rëndësishme të kthehet në rrugën e trofeve. Ai po i afrohet ndeshjet së 400-të me Baselin.

“Është një ëndërr që po bëhet realitet për të luajtur këtë shifër të ndeshjeve për klubin tim. Natyrisht jam shumë krenar për këtë”.

Prej 399 ndeshjeve, Taulanti ka veçuar dy ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve në vitin 2014 dhe një fitore ndaj Fiorentinas, kur tifozët përgatitën koreografi të veçantë.

Thotë se qyteti i Baselit do të thotë çdo gjë për të. Tregon se i mungon qyteti kur është në pushim për më shumë se dy javë. Ai po ndërton shtëpi me pamje nga stadiumi i Baselit.

Lidhur me transferimin e Shaqirit te Baseli, Taulanti thotë se nuk ka ditur asgjë pos asaj që është raportuar në media. Madje në fillim nuk besonte se lëvizja do të realizohej.

“Kur është konfirmuar lëvizja, kam menduar: shkëlqyeshëm. Ne e njohim njëri-tjetrin prejse ishim djem të vegjël te juniorët. Kemi raporte shumë të mira”, ka treguar Taulant Xhaka. “Ai është nga Baseli dhe nuk i është dashur kohë për përshtatje. Ai e njeh klubin, stadiumin, vetëm bashkëlojtarët janë të rinj”.

Sipas Taulantit, Shaqiri është në formë shumë të mirë dhe i gatshëm.

Pasi ka folur për Shaqirin, Taulant Xhaka është pyetur për mundësinë e kthimit të Granitit.

Granit Xhaka është në kulm të karrierës. Ka fituar titullin e kampionit të Gjermanisë me Bayer Leverkusenin dhe tani po paraqitet në Ligën e Kampionëve. Ai ka edhe shumë vjet kontratë me Leverkusenin. Por e ardhmja e Granitit mund të jetë te Baseli.

“Mund të funksionojë. Është një plan. Por nuk do të tregojë më shumë”, ka thënë Taulant Xhaka duke qeshur.

Taulant e Granit Xhaka kanë luajtur së bashku në fillim të karrierës. Më pas rrugët e tyre u ndanë. Karriera e Granitit është dukshëm më e suksesshme.

Por vëllezërit Xhaka mund të bashkohen edhe pas karrierës si futbollistë.

“Unë, si vëllai im, dua të shkollohem për trajner. Ideja do të ishte që Graniti të jetë kryetrajner dhe unë të jem asistent i tij. E shoh më shumë veten në këtë rol, në komunikim me lojtarët”.