E premtja ka qenë ditë feste për qytetin e Suharekës. Klubi që mban emrin e qytetit, Suhareka, festoi ngritjen në Superligën e Kosovës në futboll.
Suksesi i deritashëm klubit të themeluar vetëm më 5 qershor të vitit të kaluar vlerësohet i vogël në krahasim me synimet që ka.
Te Suhareka synojnë t’i kalojnë sukseset e Ballkanit, tashmë rivalit të qytetit.
“E ardhmja e Suharekës besoj do të jetë e ndritur. Duke njohur kapacitetin që kanë drejtuesit e klubit, ndoshta do ta tejkaloi nivelin e Ballkanit. Shumë herë kam thënë se ndoshta ekipi që do ta rrëzoj Ballkanin në të ardhmen, besoj se do të jetë Suhareka”, ka thënë trajneri i Suharekës, Arsim Thaqi për KOHËN.
Trajneri Thaqi tregohet më i matur kur pyetet nëse Suhareka mund t’i arrij sukseset e Ballkanit që në vitin e parë në elitë.
Ballkani dy herë rresht u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia. Ka po ashtu dy tituj të kampionit të Kosovës dhe po e kërkon të tretin.
“Gjërat që i ka bërë Ballkani, normal nuk është e lehtë të bëhen nga asnjë ekip momentalisht në Kosovë. Duhet të jemi realistë. Por është një model, është një rrugë. Ekipet që dëshirojnë të organizohen, ekipet që dëshirojnë të bëjnë cilësi, e kanë një model për të arritur deri në atë nivel”, është shprehur trajneri Thaqi.
Për të arritur nivelin e Ballkanit, Thaqi pranon se duhen përforcime dhe investime më të mëdha.
“Duhet të jemi të vëmendshëm sidomos sa i përket prurjeve brenda ekipit. Duhet të jenë lojtarë që kanë cilësi, lojtarë që kanë eksperiencë në futbollin e Kosovës dhe lojtarë që në të kaluarën kanë fituar trofe. Do të punojmë shumë shpejt në këtë drejtim për të bërë një projekt për Superligë. Liga e Parë është kapitull i mbyllur për ne”, thotë Arsim Thaqi, i cili ka drejtuar edhe disa klube të tjera kosovare.
Ndryshimet e nevojshme, Thaqi beson se do t’i bëjnë drejtuesit e Suharekës. Ai flet për korrektësinë që kanë udhëheqësit e klubit.
“Përveç që janë donatorë dhe udhëheqin klubin, këta njerëz e duan shumë futbollin. Fakti se i kanë qëndruar afër klubit tregon se në shumë raste kanë qenë edhe në stërvitje e mos të flasim për ndeshje. Presidenti i klubit udhëton nga Zvicra për të parë nga afër ndeshjen dhe kthehet. Pra ky është një entuziazëm. Këta njerëz përveç që kanë gatishmërinë për të investuar, edhe e duan futbollin. Kjo i kontribuon edhe më shumë klubit”, thotë Thaqi.
Se Suhareka mund të bëhet klub i madh, besojnë edhe lojtarët.
Kapiteni Yll Hoxha, thotë se Suhareka do të lërë gjurmë në futbollin kosovar.
“Mendoj që në të ardhmen Suhareka do të jetë një ndër klubet më të mira në futbollin e Kosovës. Pritet të ketë edhe sukses, pasi serioziteti shihet qysh në vitin e parë duke nisur nga kryesia. Financat nuk kanë munguar asnjëherë duke na plotësuar të gjitha kushtet financiare ashtu edhe pjesët tjera që i kemi kërkuar. Suhareka do të jetë ndoshta klubi që do të lërë gjurmë shumë të mëdha”, ka thënë Hoxha.
Fjalë edhe më të mëdha ka sulmuesi Mevlan Zeka, ish-lojtar i Ballkanit.
“Besoj se Suhareka do të jetë një superfuqi në Kosovë. Këtë e them duke marrë parasysh investitorët që e kanë marrë skuadrën, të cilët janë seriozë dhe kanë ambicie të mëdha”, është shprehur Zeka.
Zeka ka shënuar 19 gola në grupin A të Ligës së Parë. Suhareka ka fituar titullin e kampionit në Grupin A të Ligës së Parë dhe kështu ka siguruar promovimin në elitë.
Verën e kaluar Suhareka u bashkua me skuadrën A&N dhe kështu mori vendin e kësaj skuadre në Ligën e Parë. Bëri përforcime të shumta dhe kjo solli suksesin e menjëhershëm.
Më i matur në përgjigje është ish-lojtari tjetër i Ballkanit, Liridon Fetahaj. Ai thotë se për të pasur suksese në Superligë, duhen më shumë investime dhe cilësi në skuadër.
“Ne si klub kemi qenë të organizuar mjaft mirë në Ligën e Parë dhe po shpresojmë që këtë ecuri ta kemi edhe në Superligë. Normalisht kërkohet më shumë punë, angazhim dhe kualitet. Prandaj besoj se me lojtarët që janë dhe disa prurje të reja, do të qëndrojmë në Superligë vitin e parë dhe eventualisht ta kërkojmë Evropën përmes pozitës 3-4 dhe Kupës. Pastaj të shohim në vazhdim”, ka thënë Fetahaj.
Në Superligë nga grupi tjetër i Ligës së Parë ka kaluar Ferizaj. Për Ferizajn, skuadrën me traditë, është vetëm kthim në elitë.