Futboll

Synimet e mëdha të Kaltrinës me Trabzonsporin

Kaltrina Biqkaj - Trabzonspor

Kaltrina Biqkaj mburret me karrierën që ka bërë në Kosovë. Karrierën si futbolliste e ka nisur te Drita. Pastaj luajti në Hajvali dhe së fundmi për gjashtë vjet ishte pjesë e Mitrovicës, skuadrës më të suksesshme të futbollit të femrave në vend. Biqkaj karrierën do ta vazhdojë në Turqi. Ajo i është bashkuar skuadrës elitare të Turqisë, Trabzonspor. Me klubin turk ka nënshkruar kontratë për një vjet. 
“Sot e kemi përfunduar fazën përgatitore. Po bëhen ndoshta dhjetë ditë që jam në përgatitje me klubin e ri Trabzonsporin”, tregon 24-vjeçarja nga Kamenica.

Ajo thotë se është ambientuar shpejt te klubi turk.

“Largimi në moshë të hershme prej familjes ka qenë i vështirë, sepse jam ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet. Por përkrahja e familjes ka qenë motivi kryesor dhe çelësi i suksesit tim. Qëllimi im kryesor ka qenë arritja sa më lart në karrierë, gjë që më është shpërblyer tashmë pas gjithë punës dhe sakrificës së madhe”, ka thënë Biqkaj.

Biqkaj ishte kapitene e skuadrës së Mitrovicës. Kaltrina thotë se ishte e privilegjuar për besimin që ia kishte dhënë klubi Mitrovica. Vlerëson se ishte privilegj.

Ndër sukseset e Biqkajt me Mitrovicën ishte ai i vitit 2019. Mitrovica pati zënë vend në mesin e 32 ekipeve më të mira në Evropë. Kjo u arrit pas tri fitoreve në Grupin 2 kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Kam kaluar shumë kohë të bukura në Mitrovicë. Kam fituar të gjitha trofetë, titullin dhe Kupën e Kosovës. Isha gati për një eksperiencë të re në karrierë dhe vendosa ta provoj veten në një kampionat tjetër”, është shprehur ajo.

Ajo ka besim se do t’ia dalë të zë vend në klubin e ri, ashtu siç ia doli t’i bindë të gjithë se duhet të vazhdojë të merret me futboll.

“Mendoj se ndihem e plotësuar në aspektin profesional, pasi kam fituar gjithçka me Mitrovicën. Jam gati për këtë hap të rëndësishëm, sepse kam punuar me vite që të bëhem një lojtare e nivelit evropian. Tashmë ka ardhur koha që gjithë mundi dhe sakrifica të më shpërblehet”, ka deklaruar ajo.

Kaltrina zbulon edhe synimet me Trabzonsporin.

“Në Trabzon synimi kryesor është të bëjmë paraqitje të mira i gjithë ekipi. Në aspektin profesional dua të tregoj cilësitë e mia që kam. Do ta jap maksimumin tim në çdo ndeshje që do të më jepet mundësia të paraqitem. Dua gjithashtu që të përsëris suksesin që kam pasur në Kosovë. Të bëhem golashënuesja më e mirë”, ka thënë ajo.

24-vjeçarja nga Kamenica ka më shumë ndeshje se secila lojtare e Kosovës, jo vetëm në futboll por edhe në sportet e tjera kolektive. Ka zhvilluar 53 ndeshje për Kosovën, ndërsa ka shënuar tetë gola.

“Edhe paraqitjet me Kosovën më kanë ndihmuar shumë në ngritjen profesionale”, ka thënë Biqkaj.
Biqkaj është një prej disa futbollisteve që kanë bërë lëvizje jashtë vendit. Tregu evropian është hapur edhe për futbolliste. Më herët këtë vit u larguan Edona Kryeziu dhe Endrina Elezaj. Të dyja janë prej lojtareve më të suksesshme në futbollin e Kosovës. Ato kanë fituar çdo trofe të mundshëm në Kosovë. Karrierën po e zhvillojnë te skuadra e madhe kroate Dinamo Zagreb.