Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, e ka publikuar të premten listën për dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Shqipëria më 16 nëntor përballet me Republikën e Çekisë, ndërsa më 19 nëntor luan ndaj Ukrainës.
Të dy ndeshjet i luan në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, nga ora 20:45.
Grupit B1 i prin Çekia me shtatë pikë, ndërsa nga gjashtë pikë i kanë Gjeorgjia dhe Shqipëria. Me katër pikë në vendin e fundit është Ukraina.
Grumbullimi i kuqezinjve nis të dielën, ndërsa përgatitjet zyrtare nisin nga dita e hënë.
Në listën prej 28 lojtarëve të ftuar nga tekniku brazilian janë katër portierë, që është jo shumë e shpeshtë. Ndërkohë, sërish mungon sulmuesi i Chelseat i huazuar tek Evertoni, Armando Broja. Broja është i lënduar dhe nuk po paraqitet as në Premier League me klubin anglez.
Në dyshim janë edhe tre prej lojtarëve të ftuar nga Sylvinho, për të cilët selektori ka folur në konferencën për shtyp, të premten.
Marash Kumbulla i Espanyolit u lëndua në duelin ndaj Barcelonës. Formën më të mirë fizike nuk e kanë as Rey Manaj i Sivassporit dhe Keidi Bare i Real Zaragozës.
Në portë përveç Thomas Strakoshës, Elhan Kastratit dhe Alen Sherrit, që ishin edhe në grumbullimin e muajit të kaluar, është ftuar edhe Simon Simoni.
Edhe Feta Fetai dhe Indrit Tuci, që u grumbulluan në momentet e fundit muajin e kaluar, janë në listën e Sylvinhos.
Pas një kohe kthehen Manaj dhe Keidi Bare.
“Pa dyshim se të gjithë mund të dalim të parët në grup. Por, në këtë grup mund të ndodh gjithçka. Erdhi Gjeorgjia dhe fitoi ndaj nesh. Ne shkuam atje dhe fituam. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Kampionatin Evropian. Në këtë grup ka cilësi, ka lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier League. Të gjithë janë të fortë. Ne kemi avantazhin pasi i luajmë në shtëpi të dyja ndeshjet. Është një avantazh i vogël, por i mirë”, ka thënë Sylvinho.
Konkurrenca më e madhe tek ekipi aktual i Shqipërisë është në fazën e sulmit. Këtë e ka pranuar edhe vetë braziliani 50-vjeçar. Por, sipas tij, konkurrenca e shëndoshë sjell edhe rezultate pozitive.
“Dhimbja e kokës për këto çështje për një trajner është gjithmonë e mirë. Ky është moment i rëndësishëm për Kombëtaren. Të kesh një grup të tillë dhe të jesh ende në garë është e rëndësishme. Ukraina është e fortë, Gjeorgjia ka luajtur mirë në Evropian. Çekia është e fortë dhe është e para”, ka theksuar Sylvinho që më pas theksoi se dy ndeshjet e muajit nëntor nuk do të jenë aspak të lehta.
Ai e vlerësoi edhe forcën e madhe që kanë Çekia dhe Ukraina në mbrojtje.
“Duhet të kemi parasysh se kundërshtarët marrin pak gola. Gjeorgjia është skuadër e fortë taktikisht, njësoj si Çekia dhe Ukraina. Ju rikujtoj që edhe ne jemi pak a shumë me të njëjtat cilësi. Kemi pasur vështirësi ndaj tyre dhe nuk ishte e lehtë t’i marrim gjashtë pikë deri tani. Duhet t’i falënderoj lojtarët dhe stafin. Duhet të përmirësohemi sepse na presin dy kundërshtarë dhe ndeshje të vështira”.
Shqipëria ndaj Çekisë u mposht 2:0 në ndeshjen e parë, ndërsa Ukrainën e kishte mposhtur 2:1 në nisje të kampanjës, në ndeshjen që u zhvillua në “Epet Arena” në Pragë.
Ekipi i Shqipërisë për ndeshjet e nëntorit
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Simon Simoni
Mbrojtës: Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Marash Kumbulla
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Feta Fetai, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Keidi Bare
Sulmues: Ernest Muçi, Indrit Tuci, Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Rey Manaj