Futboll

Sven-Goran Eriksson, njëri prej trajnerëve më të mëdhenj të dekadave të fundit

Sven-Goran Eriksson

Foto: Associated Press

Ish-selektori i Anglisë, Sven-Goran Eriksson, ka vdekur në moshën 76-vjeçare.

Eriksson ishte trajneri i parë jobritanik që udhëhoqi Anglinë. Me Erikssonin në krye, Anglia arriti në çerekfinale të tri ngjarjeve të mëdha. Eriksson ishte në krye të Anglisë nga viti 2001 deri në vitin 2006.

Në janar, tekniku i njohur suedez tha se kishte më së shumti edhe një vit jetë, pasi u diagnostikua me kancer.

Fëmijët e tij, Lina dhe Johan, shkruan të hënën: “Babai ynë Sven-Goran Eriksson ndërroi jetë në paqe, në shtëpinë e tij në Bjorkefors këtë mëngjes. Ai për kohë të gjatë luftoi me trimëri me sëmundjen që kishte, por ky ishte fundi. Babai na tha në fillim të vitit për sëmundjen e rëndë dhe mori përkrahje të madhe nga shokët dhe tifozët e futbollit në gjithë Evropën. Ai ishte ftuar nga shumë klube në Angli, Itali, Portugali dhe Suedi. Ato klube kanë ndarë dashurinë për futbollin dhe për babanë tonë. Ishte e paharrueshme për të dhe për ne. Ai shprehu vlerësimin dhe gëzimin e tij dhe theksoi se fjalë të tilla të bukura zakonisht thuhen vetëm kur dikush ka vdekur. Shpresojmë se do ta mbani në mend Svenin si personin e mirë dhe pozitiv që ishte gjithnjë në publik dhe në shtëpi me ne”.

Erikssoni ka udhëhequr 12 klube, duke përfshirë Manchester Cityn, Leicesterin, Romën dhe Lazion. Ka fituar 18 trofe. Ka udhëhequr edhe përfaqësueset e Meksikës, Bregut të Fildishtë dhe Filipineve.
Pas pensionimit në moshën 27-vjeçare, Erikssoni nisi karrierën si trajner te Degerforsi në vitin 1977, para se t’i bashkohej Goteborgut. Me këtë skuadër e fitoi titullin e kampionit të Suedisë, dy kupa suedeze dhe Kupën e UEFA-s në vitin 1982. 

Ai më pas i kishte dy periudha te Benfica në Portugali dhe punoi te skuadrat italiane si Roma, Fiorentina, Sampdoria dhe Lazio.  Ka fituar titullin në Serie A, dy kupa të Italisë dhe Kupën e Fituesve të Kupave. Pasi u diagnostikua, Erikssoni e kaloi vitin e fundit duke vizituar disa prej ish-klubeve të tij, duke përfshirë Lazion dhe Sampdorian.

Në mars, suedezi, që ishte tifoz i përjetshëm i Liverpoolit, udhëhoqi ekipin e legjendave të Liverpoolit në ndeshjen ndaj legjendave të Ajaxit. Foli për një ëndërr të realizuar.

Ai ndau një mesazh prekës në fund të dokumentarit të ri, “Sven”, i cili u publikua më herët këtë muaj.

“Kam pasur jetë të mirë. Mendoj se të gjithë frikësohemi për ditën kur përfundon çdo gjë, kur vdesim. Shpresoj se në fund njerëzit do të thonë ‘Po, ishte njeri i mirë’. Por jo të gjithë do ta thonë këtë. Shpresoj se do të më kujtoni si njeri pozitiv që është munduar të bëjë çdo gjë që ka mundur të bëjë. Mos jeni të trishtuar, buzëqeshni. Faleminderit për të gjitha, trajnerëve, lojtarëve, tifozëve. Ishte fantastike. Kujdesuni për veten dhe për jetën tuaj. Jetojeni atë. Lamtumirë!”

Ish-sulmuesi i Anglisë, Michael Owen, e ka përshkruar Erikssonin si “njërin prej më të mirëve” dhe si “njeriu që do t’iu mungojë të gjithëve në botën e futbollit”.

Shumë personalitete të futbollit dhe klube të mëdha kanë shkruar fjalët më të mira për Erikssonin.

“Si trajner, Erikssoni ishte inovator i madh dhe ambasador i vërtetë i lojës sonë të bukur. Si personalitet futbolli, ai gjithnjë udhëhoqi me entuziazëm dhe me buzëqeshje. Në emër të FIFA-s dhe të komunitetit tonë global iu shpreh ngushëllime familjes së Erikssonit dhe shokëve të tij në këtë moment të vështirë”, ka shkruar presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Janë të shumta ndeshjet dhe momentet për të cilat Erikssoni do të mbahet në mend. Ndër të tjera, për fitoren 5:1 të Anglisë ndaj Gjermanisë më 1 shtator të vitit 2001.