Portieri kosovar i Copenhagenit, Diant Ramaj, është suspenduar me tri ndeshje nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Danimarkës për goditjen me kokë që i ka dhënë të dielën portierit rezervë të Brondbyt, Thomas Mikkelsen, pas derbit të xhiros së 25-të të Superligës së Danimarkës.
Vendimi për Ramajn është marrë të enjten. Krahas Ramajt, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Danimarkës, ka gjobitur Copenhagenin me 40 mijë euro për incidentet gjatë dhe pas derbit, të cilin e fitoi Brondby 2:1
Ramaj kishte kapur fillimisht për fanelle Mikkelsenin e më pas kishte goditur me kokë portierin rezervist të Brondbyt. Ramaj ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Në Danimarkë, goditja e Ramajt me kokë u cilësua si shkelje, sipas Kodit Penal. Ramaj ishte denoncuar për sulm fizik.
Te klubi danez kanë thënë se nuk do të apelojnë dënimin, ndërsa kanë paralajmëruar se do të marrin masa ndaj Ramajt e po ashtu edhe lojtarëve tjerë të përfshirë në incidentin pas ndeshjes ndaj Brondbyt.