Futboll

Superliga vazhdon me të tjera ndeshje interesante

Suhareka

Suhareka

Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. Të premten në fushën e Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, Prishtina e mposhti Dukagjinin e Klinës me rezultatin 3:0. Me fitore, Prishtina doli në pozitën e parë me 10 pikë, sa i kanë edhe Ballkani, Suhareka e Malisheva.

Vendin e parë në tabelë, Prishtina mund ta humbë të shtunën (sot), kur zhvillohen dy ndeshje tjera të xhiros së gjashtë. Prej orës 15:00, Suhareka e pret Feronikelin 74, kurse Ferizaj takohet me Llapin.

Ndonëse për herë të parë në Superligë, Suhareka vlerësohet favorite e madhe ndaj skuadrës nga Drenasi, Feronikeli 74. Suhareka është skuadra e vetme pa humbje në Superligë. Ka luajtur katër ndeshje këtë  edicion, kurse i ka tri fitore e një barazim. Barazoi me Prishtinën në xhiron e parë e më pas fitoi ndaj Dukagjinit, Gjilanit dhe Ferizajt. Nuk e ka luajtur ende ndeshjen me Dritën.

Ndërkohë Feronikeli 74 i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet e deritashme. Është skuadra e vetme pa pikë.

Me shumë peshë vlerësohet edhe ndeshja mes Ferizajt e Llapit. Llapi është i pesti me shtatë pikë, ndërsa Ferizaj i parafundit (9) me katër pikë. Të dy skuadrat kanë synuar më shumë pikë në pesë xhirot e para. Dhe rastin për t’i kompensuar pikët që i lëshuan, e shohin në ndeshjen e së shtunës.

Derbi i xhiros zhvillohet të dielën në Gjilan. Takohen Drita e Ballkani. Për shkak të paraqitjet në gara evropiane, Drita i ka zhvilluar vetëm tri ndeshje në Superligë. I ka gjashtë pikë në mesin e tabelës. Kampioni, Ballkani, ka tri fitore, një barazim e një humbje. Në xhiron e kaluar Ballkani fitoi 1:0 ndaj Prishtinës. Ishte ndeshje debutuese për Artim Pollozhanin në postin e trajnerit të Ballkanit. Ai zëvendësoi Ilir Dajën, që mori drejtimin e Dinamos së Tiranës.

Pollozhani dhe Ballkani do të kenë sfidë shumë serioze të dielën në Gjilan. Të dy skuadrat e synojnë titullin e kampionit dhe derbin e shohin rast të mirë për të konfirmuar ambiciet.

Pas dështimit në Suharekë, Prishtina të premten u kthye në rrugën e duhur. Ndonëse jashtë stadiumit të saj, nuk i dha rast skuadrës nga Drenasi.

Albin Krasniqi i shënoi dy gola, ndërsa Rigon Llugiqi e realizoi një.

“Kemi pritur të jetë ndeshje e fortë. Ashtu edhe ishte, pa marrë parasysh rezultatin. E mira e krejt kësaj është që kemi reaguar shumë mirë pas humbjes dhe paraqitjes shumë të dobët ndaj Ballkanit", ka thënë Krasniqi.

Superliga në futboll – VI

E premte

Prishtina – Dukagjini       3:0

E shtunë (15:00)

Ferizaj – Llapi

Suhareka – Feronikeli 74

E diel (15:00)

Malisheva – Gjilani

Drita – Ballkani