Futboll

Superliga: Karrica vendos derbin Ballkani - Prishtina, Suhareka mposht Ferizajn

Ballkani

Ballkani dhe Suhareka kanë shënuar fitoret e radhës në Superligë. Kampioni Ballkani mposhti Prishtinën 1:0, ndërsa Suhareka si mysafire Ferizajn me të njëjtin rezultat. Raportet e ndeshjeve dhe deklaratat pas tyre, mund t’i përcillni këtu

 

Cavalli thotë se gabimet u kushtuan

7 muaj më parë / 14 sht 2024 17:09
Jean-Michel Cavalli

Trajneri i Prishtinës, Jean-Michel Cavalli, ka thënë se lojtarët e tij gabuan në momentin kur u pësua goli dhe kjo u ka kushtuar me disfatë nga Ballkani. 

“Jam i dëshpëruar. Këtë ndeshje ndoshta nuk është dashur ta humbnim. Është e pamundur të humbet një ndeshje e tillë. Nuk po mund t’i kuptoj gabimet që i kemi bërë. Mbrojtja duhej të intervenonte në momentin e golit duke e larguar topin në këndore dhe gjithçka do të mbaronte. Edhe fusha nuk ishte në gjendje të mirë. Skuadra ime ka punuar shumë mirë në këtë javë, por nuk e pati të njëjtën paraqitje”, ka thënë Cavalli pas ndeshjes për “ArtMotion”.

Pollozhani: Këtë fitore do ta mbaj mend gjatë

7 muaj më parë / 14 sht 2024 17:07
Artim Pollozhan

Trajneri i ri i Ballkanit, Artim Pollozhani, ka thënë se fitoren ndaj Prishtinës do ta mbajë mend gjatë. 

Ai ka shtuar se fitorja në derbi ishte shumë e merituar. 

“Sigurisht që jam i lumtur. Merita është e futbollistëve. Këtë ndeshje do ta mbaj mend gjatë sepse ishte ndeshja e parë si trajner i parë dhe fituam ndaj Prishtinës, një skuadër e madhe. Ishte ndeshje e bukur, e luftuar. Ne dhamë më shumë, e kërkuam më shumë fitoren dhe sigurisht që e merituam”, ka thënë trajneri Pollozhani fillimisht pas ndeshjes për “ArtMotion”. 

Pollozhani në postin e trajnerit erdhi pas largimit të trajnerit Ilir Daja. Pollozhani ishte asistent i Dajës për kohë të gjatë.  

“Unë nuk e ndaj ekipin e parë dhe zëvendësuesit. Edhe zëvendësuesit janë shumë të rëndësishëm. Janë super lojtarë. E justifikuan veten të gjithë që u inkuadruan dhe mendoj që dolëm mirë”, vazhdoi tutje trajneri Pollozhani. 

Ai theksoi më pas se Ballkani do të jetë i fokusuar ndeshje për ndeshje. 

“Ku ka më mirë se të luash në derbi. Ne shkojmë ndeshje për ndeshje. Do të përqendrohemi te Drita. Drita e Llapi janë skuadra me cilësi. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Do të fokusohemi dhe kur përqendrohemi, jemi më efikas”, theksoi tekniku strugan.
 

Suhareka mposht Ferizajn

7 muaj më parë / 14 sht 2024 16:58
FC Suhareka

Skuadra e Suharekës e ka mposhtur Ferizajn si mysafir me rezultatin 1:0, në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e fitores për Suharekën e shënoi Liridon Fetahaj në minutën e 30-të.

Për Suharekën ishte fitorja e tretë në katër ndeshje të zhvilluara. Ka edhe një barazim.

Ndërsa për Ferizajn ishte disfata e tretë nga pesë ndeshje të zhvilluara. Ka edhe një fitore dhe një barazim.

Karrica vendos derbin Ballkani - Prishtina

7 muaj më parë / 14 sht 2024 16:56
Ballkani

Trajneri Artim Pollozhani e ka filluar me fitore aventurën te skuadra e Ballkanit. Ballkani të shtunën e ka mposhtur në shtëpi Prishtinën me rezultatin 1:0.

Golin e fitores e shënoi Bernard Karrica në minutën e 82-të.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin e qytetit në Suharekë dhe i takoi javës së pestë të Superligës së Kosovës në futboll.

Ballkani dhe Suhareka kryesojnë me dhjetë pikë, por Ballkani ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Prishtina është në pozitën e tretë me shtatë pikë.

Ballkani ndeshjen e ardhshme do ta ketë ndaj Dritës më 22 shtator. Prishtina takohet me Dukagjinin.