Xherdan Shaqiri gjuajti fuqishëm nga një kënd shumë i vështirë. Topi preku traversën e më pas shtyllën dhe përfundoi në rrjetë. Më pas, Shaqiri goditi mjeshtërisht nga gjuajtja e lirë. Topi sërish përfundoi në rrjetë.
Shaqiri aktualisht është i pandalshëm. Të shtunën mbrëma shënoi dy supergola për fitoren 4:0 të Baselit ndaj Zurichut. Derbi i madh u zhvillua në shtëpinë e Zurichut. Por ishte ndeshje e Baselit. E Shaqirit sidomos.
Pas një kohe të gjatë, Baseli i ka katër fitore rresht. 33-vjeçari gjatë kësaj serish kishte gol e asist, më pas asistim, më pas gol dhe të shtunën dy gola. Ylli shqiptar i futbollit ka 13 gola e 14 asistime në 28 paraqitje në kampionatin e Zvicrës. Është bindshëm lojtari më produktiv në elitën zvicerane. Nëse merren për bazë edhe tri ndeshje për Kupë, Shaqiri ka 15 gola e 15 asistime.
Pas xhiros së 32-të Baseli është lider i pakontestueshëm me 58 pikë. Po marshon drejt titullit. Ka mbetur vetëm edhe një xhiro në stinorin e rregullt e më pas pesë të tjera në plejof.
Titullin e fundit, prej 20 gjithsej, Baseli e ka fituar në vitin 2017.
“Shikoni në rezultat”, ka thënë Shaqiri për reporterët. “Nuk ka çka të thuhet më shumë”.
Kapiteni i Baselit ka thënë se ndeshja dhe fitorja ishte “paralajmërim i qartë”.
“Tani duam të fitojmë ndaj Yverdonit. Më pas do të vendosim synimet e reja”, ka vazhduar Shaqiri. Ai nuk e ka përmendur, por qartë që synimi i Baselit është titulli i kampionit.
Shaqiri më pas foli si kapiten.
“Jam krenar se si ky ekip u paraqit kur ishim nën presion. Kemi vendosur ritmin. Tani të shohim çka do të bëjnë të tjerët. Është shkruar se nuk jemi në disponim. Nuk është e vërtetë. Nëse nuk do të ishim në disponim, nuk do të ishim në gjendje të luajmë në mënyrën se si luajtëm ndaj Zurichut”, ka theksuar Shaqiri.
Kthimi në Zvicër ishte parë nga disa si “fillimi i fundit të karrierës për Shaqirin”. Por Xherdani po shkëlqen. Dhe po e udhëheq skuadrën drejt titullit të kampionit me gola e asistime. Madje me supergola.
“E shihni Shaqirin që është në krye të këtij rrugëtimi aktualisht. Ai po bën çdo gjë si duhet. Gjërat thjeshtë po shkojnë mirë këtë moment”, ka thënë ish-portieri i Zvicrës, Pascal Zuberbuhler.