Futboll

Sulmuesi i Kosovës shënon gol ndaj gjigantit italian

Eliot Bujupi

Sulmuesi i Kosovës, Eliot Bujupi, ka shënuar gol të martën pasdite. Bujupi realizoi në fitoren e Stuttgartit U19 ndaj Juventusit U19. Ndeshja e zhvilluar në Torino përfundoi 3:2 në të mirë të gjermanëve, ndërsa i takoi xhiros së tretë të Ligës së UEFA-s për të Rinj. Juve e Stuttgarti garojnë në grupin e skuadrave që janë në Championsin e të rriturve. 

18-vjeçari Bujupi e shënoi golin e barazimit 1:1 në minutën e 44-t. Ai shënoi me goditje të saktë pas topit të kthyer nga një mbrojtës i Juventusit, pas gjuajtjes fillestare së futbollistit tjetër kosovar, Deli Hajdini. Ky i fundit luajti vetëm pjesën e parë, kurse Bujupi u zëvendësua në minutën e 71-të. 

Stuttgarti ka gjashtë pikë nga tri ndeshje.

Për Bujupin është goli i parë i shënuar me fanellën e Stuttgartit në UEFA Youth League. Ai ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar gjashtë herë në kampionatin gjerman për grupmoshën U19. Një gol ka shënuar edhe për Kupë të Gjermanisë në kategorinë e juniorëve. 

Bujupi ka debutuar me ekipin A të Kosovës në fitoren 4:0 ndaj Qipros më 9 shtator. Paraqitje për Kosovën U19 ka sulmuesi Deli Hajdini. Dy lojtarët vlerësohen e ardhmja e “Dardanëve”.