Ballkani e shënoi suksesin më të madh të skuadrave kosovare me avancimin deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Suharekasit këtë sukses fillimisht e arritën në edicionin 2022/23, e më pas edhe në edicionin pasues.
Këto të arritura të Ballkanit po shërbejnë si motiv për të rinjtë e 2 Korrikut, që janë debutues në “UEFA Youth League”.
Kështu ka thënë të premten për KOHËN trajneri Labinot Haziri.
“Shembulli më i mirë ka qenë Ballkani, që si debutues ka hyrë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ndoshta edhe ajo ka qenë një motiv për ne që kemi mundur t’ua transmetojmë lojtarëve që jo gjithmonë duhet vetëm pjesëmarrja. U kemi thënë se duhet të paraqiteni mirë dhe me paraqitje të mirë vijnë edhe rezultatet pozitive”, ka thënë trajneri Haziri.
Haziri për kohë të gjatë është pjesë e 2 Korrikut. Ka luajtur për grupmoshat e kësaj skuadre.
2 Korriku i kishte dhënë rast edhe si futbollist senior, ndërsa tani Haziri po e shpërblen me punën si trajner.
“E vërtetë, por ndjenja si lojtar dhe ndjenja si trajner është krejtësisht e kundërt. Si lojtar mendon vetëm për veten, kurse si trajner e ke përgjegjësinë e gjithë skuadrës. Ndoshta prej arritjeve më të mëdha të miat me 2 Korrikun është pjesëmarrja në ‘UEFA Youth League’”, pranon tekniku i të rinjve të 2 Korrikut.
2 Korriku në raundin e parë të garës kontinentale për të rinj e eliminoi Bylisin e Shqipërisë me rezultatin e përgjithshëm, 4:2.
Në të dyja ndeshjet kishte arritur fitore 2:1.
Tani në raundin e dytë të “UEFA Youth League”, skuadra prishtinase, përballë do ta ketë skuadrën irlandeze, UCD FC.
Trajneri Haziri thotë se me kontributin e të gjithëve, edhe kjo skuadër mund të kalohet.
“Po besoj që informata të mjaftueshme kemi siguruar edhe për kundërshtarin e radhës. Do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen e parë që e kemi si vendës. Pastaj të shohim”, deklaroi Haziri.
Në fitoret ndaj Bylisit, Rin Ahmeti ishte prej më të dalluarve. Ai kishte asistuar e shënuar në të dyja ndeshjet.
Ahmeti ka qenë pjesë e shkollave të futbollit Young Boys dhe Arsenal, që funksionojnë në Kosovë. Pjesë e 2 Korrikut është prej një viti e gjysmë.
“I lumtur jam goxha shumë, sepse të them të drejtën nuk e kam pritur një debutim të tillë. Por edhe skuadra më ka ndihmuar shumë dhe shpresoj që të vazhdojë ende kështu. Besoj që kualiteti i lojtarëve është shumë i lartë, sidomos edhe pas këtyre ndeshjeve e kemi marrë një hap shumë të mirë. Shpresoj që të mos kemi problem edhe me kundërshtarin e radhës”, ka thënë mesfushori Ahmeti. 16-vjeçari synon që një ditë të luajë për një skuadër të madhe evropiane.
Mbrojtësi i krahut të majtë, Donart Syla, që vjen nga një familje që kryesisht është marrë me sportin e mundjes, tha se ndihet krenar me të arriturën e fundit me klubin prishtinas.
“Fillimisht prindërit më kanë inkuadruar në futboll, sepse nuk kam pasur qejf të shkoj në mundje. Më ka shkuar mirë futbolli dhe kam vazhduar me futboll. Ndihem krenar me ekipin, që e kemi dhënë maksimumin. Shpresoj që nuk do të ndalemi vetëm me këtë lojë”, deklaroi Syla.
Ndeshjen e parë ndaj skuadrës UCD FC, 2 Korriku e luan në shtëpi më 23 tetor, ndërsa ballafaqimi i kthimit luhet më 6 nëntor.
UCD FC është skuadër që për herën e parë ishte pjesëmarrëse në këtë garë në vitin 2017.
Deri në këtë edicion, skuadrat kosovare nuk janë paraqitur në UEFA Youth League.