Futboll

Suhareka e respekton Gjilanin, por synon tri pikë

Futi

Gjilani dhe Suhareka i kanë të përbashkëta rezultatet e arritura në dy xhirot e fundit. Në njërën ndeshje barazuan, ndërsa në xhiron e kaluar u mposhtën. Të shtunën nga ora 13:00, në ndeshjen që zhvillohet në terrenin me bar sintetik në Gjilan, e kanë synimin e njëjtë – fitoren. 

Gjilani dhe Suhareka takohen në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshjen e parë të këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave e ka fituar Suhareka me rezultatin 3:2. Ishte ballafaqimi i xhiros së katërt. 

Mevlan Zeka e kishte shënuar golin e parë për Suharekën në atë fitore. Zeka, që aktualisht është shënuesi më i mirë në ligë me nëntë gola, nuk do të luajë shkaku i kartonëve. Te Gjilani në dyshim për të luajtur është kapiteni Edison Kqiku, që ka marrë lëndim së fundmi. 

Mungesa e Zekës vlerësohet e rëndësishme te klubi i Suharekës që ka 17 pikë në vendin e pestë, me një ndeshje më pak të luajtur, atë kundër Dritës. Gjilani është në vendin e parafundit me 13 pikë. 

Bashkëlojtari i Zekës, Liridon Fetahaj, që po ashtu vlerësohet si njëri prej lojtarëve të mirë në skuadër, ka thënë se Gjilani nuk e meriton pozitën ku gjendet për momentin. 

“Patjetër që Gjilani është skuadër që duhet respektuar maksimalisht. Brenda grupit ka lojtarë kualitativë dhe mendoj që nuk është reale pozita ku ndodhet Gjilani”, ka thënë të premten për KOHËN sulmuesi i krahut. 

Fetahaj që për kohë të gjatë është pjesë e futbollit kosovar, ka treguar edhe për objektivat që Suhareka ka në edicionin debutues në Superligë. 

“Ekipi ynë ka për qëllim që këtë vit të jetë stabil në tabelë dhe nëse na jepet mundësia pse të mos kërkojmë diçka më shumë nga tri pozitat e para. Mirëpo na mbetet të punojmë shumë për të arritur aty ku dëshirojmë”, ka theksuar Fetahaj. 

Suhareka drejtohet nga Qëndrim Kida, që u zyrtarizua si trajner i suharekasve më 19 tetor. Prej asaj kohe, Suhareka e ka një fitore, një barazim e dy disfata.

Kida ka thënë se ekipi është përgatitur mirë për këtë ballafaqim. 

“Suhareka do të jetë një ekip shumë i fortë, që do të jetë problem të mposhtet. Pa marrë parasysh formën e luhatshme të Gjilanit, unë besoj që ka një skuadër të mirë dhe është e vështirë ta mposhtësh në shtëpi, nëse është në momentin më të mirë”, ka thënë trajneri Kida.

Ndërkohë, homologu i tij, Ardian Nuhiu, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp të premten te Gjilani.

Ai ka theksuar se e kanë analizuar në detaje Suharekën që e ka vlerësuar lart. 

“Ishte javë e plotë. Kishim mundësinë që edhe ne si staf ta analizojmë kundërshtarin, qoftë edhe në detajet më të vogla. Bëhet fjalë për një skuadër e cila ka ambicie të larta, gjithashtu një skuadër e ndërtuar mirë me disa individë shumë cilësorë, të cilët i njohim shumë mirë. Padyshim se është analizuar kundërshtari. Kemi marrë masat që pikat e tyre të forta t’i neutralizojmë si skuadër. Do të mundohemi të marrim më të mirën, me përkushtim, duke mbledhur të gjitha forcat e grupit tonë që të reagojmë dhe të marrim trepikëshin sepse është shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”, deklaroi Nuhiu. 

Ndeshje të vështirë ndaj Suharekës pret edhe Blerind Morina. 

“Jemi përgatitur shumë mirë këtë javë, taktikisht dhe psikikisht. Besojmë që do të arrijmë fitoren ndaj kundërshtarit të radhës”, është shprehur mesfushori me tipare sulmuese. 

Të shtunën luhet edhe dueli mes Dukagjinit dhe Feronikelit 74, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Feronikeli 74 është skuadra e vetme pa fitore pas 12 ndeshjeve të luajtura. 

Ferizaj – Drita dhe derbi Llapi – Prishtina luhen të dielën. 
Xhiroja mbyllet të hënën me ballafaqimin Ballkani – Malisheva.

Superliga –13

E shtunë (13:00) 
Gjilani – Suhareka 
Dukagjini – Feronikeli 74

E diel (13:00) 
Ferizaj – Drita 
Llapi – Prishtina

E hënë (13:00) 
Ballkani – Malisheva