Suhareka e ka shënuar fitoren e parë me trajnerin Mirel Josa.
Josa u zyrtarizua më 13 mars në vend të trajnerit Qëndrim Kida, ndërsa në ndeshjen debutuese u mposht nga Llapi, 2:0.
Por të premten gjatë ditës, Suhareka fitoi 2:1 ndaj Malishevës në ndeshjen e xhiros së 26-të.
Ishte fitora e dytë krahas gjashtë humbjeve në tetë ndeshjet e fundit për Suharekën, që tani ka 32 pikë në vendin e shtatë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit.
Malisheva mbetet me 41 pikë në vendin e tretë.
Të gjitha golat e ballafaqimit të zhvilluar të premten në stadiumin e qytetit në Suharekë u realizuan në pjesën e dytë.
Eneid Kodra në minutën e 57-të realizoi për 1:0, ndërsa për 2:0 shënoi sulmuesi më në formë aktualisht në Superligë, Mevlan Zeka. Zeka golin e 15-të të edicionit e realizoi katër minuta para fundit.
Golin e vetëm për Malishevën e shënoi Drilon Hazrollaj, në minutën e dytë të kohës shtesë.
Sonte nga ora 20:00 luhet edhe ndeshja tjetër e xhiros së 26-të, ajo mes Prishtinës dhe Feronikelit 74.
Hazrollaj e bën sfidën më dramatike
Drilon Hazrollaj i Malishevës ka shënuar gol për Malishevën dhe tani rezultati është 2:1 në të mirë të Suharekës.
Hazrollaj realizoi me kokë në minutën e dytë të kohës shtesë.
Për të ishte goli i nëntë i edicionit.
Suhareka afër fitores
Suhareka është afër fitores ndaj Malishevës pasi e ka shënuar edhe golin e dytë.
Zeka në minutën e 86-të e shënoi golin e 15-të të edicionit aktual. Ai u asistua nga mbrojtësi i krahut të majtë, Yll Hoxha, dhe shënoi me goditje me kokë.
Suhareka në epërsi
Suhareka ka kaluar në epërsi ndaj Malishevës.
Në minutën e 57-të, gol për suharekasit ka shënuar Eneid Kodra.
Ai realizoi me kokë pas asistimit të Liridon Fetahajt.
Suhareka e Malisheva, baras pas pjesës së parë
Pjesa e parë e ndeshjes Suhareka – Malisheva është mbyllur 0:0.
Ky ballafaqim po luhet në stadiumin e qytetit në Suharekë dhe i takon xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Rastet nuk kanë munguar, por gola nuk u shënuan në 45 minutat e para të ndeshjes.
Sonte nga ora 20:00, Prishtina ballafaqohet me Feronikelin 74.